Kokëdhima për zgjedhjet: S’mundet Rilindja me këtë sistem

Shqipëria

Kokëdhima për zgjedhjet: S’mundet Rilindja me këtë sistem

Më: 1 korrik 2017 Në ora: 15:06
Basha dhe Rama

Kryetari i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, ka komentuar debatin brenda PD për zgjedhjen e kryetarit.

Sipas tij, arsyeja se pse rivalët po shqyejnë njëri-tjetrin nuk lidhet me rezultatin e zgjedhjeve por me pakënaqësitë që kanë viktimat e listës së tij shumëemërorë të deputetëve.

Kokëdhima thotë se asnjë parti nuk e mund dot Rilindjen me këtë sistem zgjedhor edhe sikur të ketë në listën shumëemërore Krishtin dhe Muhametin, së bashku.

"Zgjidhja nuk ndërhyn në konfliktin që ka shpërthyer tani në PD se kush do ta kontrollojë drejtimin e kësaj partie. Kush zgjidhet dhe kush largohet nga drejtimi është një problem i brendshëm i kësaj partie. Ne na intereson vetëm që zgjedhjet atje të zhvillohen në rrugë transparente dhe demokratike. E keni parë se si po përpiqen të shqyejnë njëri-tjetrin rivalët tani në Partinë Demokratike? Arsyeja kryesore e kësaj situate nuk është rezultati në zgjedhje. Çdo njeri që ka haberin nga politika e di shumë mirë se zgjedhjet janë thellësisht të pabarabarta dhe të blera me para të shumta.Asnjë parti nuk e mund dot Rilindjen me këtë sistem zgjedhor edhe sikur të ketë në listën shumëemërore Krishtin dhe Muhametin, së bashku. Bashën në fakt duan ta rrëzojnë viktimat e listës së tij shumëemërorë të deputetëve.

Partitë shqiptare janë autokratike, janë pengjet dhe sh.p.k.-të e kryetarëve. Në lista e 25 qershorit u vendosën, të parapëlqyerit dhe servilët e kryetarëve edhe në PS edhe në PD edhe në partitë e tjera. Kur të fitojë nisma ligjore dhe projekti politik i Zgjidhjes: “Unë zgjedh deputetin që dua”, do të demokratizohen partitë dhe përfaqësuesit në pushtet do t’i zgjedhë populli. Po të ishin zgjedhur me primare kandidatët e listës, do të ishte kursyer gjithë kjo përplasje e egër dhe jo etike në PD", tha ai. 

Duke vlerësuar tezat e ngritura nga Basha gjatë protestës, Kokëdhima thotë se projekti i “Republikës së Re” duhet të vazhdojë.

"Basha në protestën që udhëhoqi artikuloi shumë teza që janë promovuar për herë të parë nga Zgjidhja dhe që janë çështje themelore të programit tonë. Është me interes për vendin që këto teza e kauza të mos braktisen nga Partia Demokratike. Në këtë kuptim, i ashtuquajturi projekt i “Republikës së Re” duhet të vazhdojë. Nëse marrëveshja e 18 majit do të japë ndonjë ndihmesë për t’u jetësuar qoftë edhe pjesërisht tezat e “Republikës së Re”, siç ka premtuar Lulzim Basha, kjo do të ishte shumë pozitive edhe për Partinë Demokratike", tha ai nder te tjera.

Deklaratat Kokëdhima i bëri në Forumin e parë të Politikave që mbajti sot partia Zgjidhja.

Sipas Kokëdhimës, zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga mafia e marijuanës dhe e korrupsionit, nga kriminelët, nga njerëzit e përfshirë në listat e deputetëve, në administratën zgjedhore e publike dhe në Policinë e Shtetit.

Kreu i partisë Zgjidhja tha se marrëveshja e 18 majit nuk u shërbeu zgjedhjeve të lira, nuk i shërbeu Shqipërisë.

Ai tha se partnerët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve shqiptare dhe u bëri thirrje ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të vendeve të tjera mike të Europës në Shqipëri, që të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi qeverinë dhe kuvendin e ri të Shqipërisë dhe të mbështesin frontin e përbashkët të opozitës së re të vendit me objektivin që parlamenti i ri të fillojë punën që ditën e parë që do të mblidhet me reformimin e plotë e të thellë të sistemit zgjedhor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat