Atentati ndaj biznesmenit, policia: Kanë qenë dy autorë, kemi sekuestruar pamjet filmike

Shqipëria

Atentati ndaj biznesmenit, policia: Kanë qenë dy autorë, kemi sekuestruar pamjet filmike

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 12:22
Ardi Veliu

Drejtori i Policisë së Tiranës ka dhënë detaje lidhur me atentatin ndaj biznesmenit Tefik Hyka.

Sipas drejtorit Ardi Veliut i cili shkoi në vendngjarje, atentati ka ndodhur në orën 10:25. Tefik Hyka fillimisht ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital në gjendje të rëndë për të marrë ndihmë mjekësore.

“Në orën 10 e 25 ka ndodhur fillimisht një plagosje e rëndë. Policia ka ngritur menjeherë pika kontrolli në të gjithë hyrje daljet e kryeqytetit. Janë shoqëruar disa persona”, thotë Drejtori i Policisë së Tiranës Ardi Veliu.

Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se vazhdojnë kërkimet për të gjetur motorin e atentatorëve, që dyshohet të jetë fshehur në parkingje apo garazhe përreth zonës ku ndodhi ngjarja.

“Nga hetimet paraprake dyshohet se kanë qenë dy autorë, të cilët janë larguar me një motor”, thotë zyrtarisht policia.

Gjithashtu, policia thotë se janë sekuestruar pamjet filmike të bizneseve në rrugën “Gjin  Bue Shpata” ku dhe ndodhi atentati. Ndërkohë në komisariat janë shoqëruar disa dëshmitarë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat