Aty ku u firmos koalicioni PS-LSI, Basha: Shkodra u kthye në mallkim për Ramën e Metën

Shqipëria

Aty ku u firmos koalicioni PS-LSI, Basha: Shkodra u kthye në mallkim për Ramën e Metën

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 19:21
PD - fushata

Nga Shkodra, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mosmbajtje të premtimeve dhe diskriminimin e këtij qyteti.

Sipas Bashës, ky qytet ku 4 vjet më parë Partia Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, firmosën koalicionin, u kthye në mallkim për Ramën e Metën.

Kryedemokrati deklaroi se Rama e Meta bëjnë sot opozitën duke qenë për 4 vite bashkëkryetar të qeverisjes.

“S’mund ta ketë kurrë bekimin e Shkodrës, vesi, as gënjeshtra, as mashtrimi. Shkodra u kthye në mallkim për koalicionin e mashtrimeve e kriminelëve. Ja ku vijnë pas 4 vitesh si klounë cirku, si palaço estradash, bëjnë opozitën e njeri-tjetrit, bëjnë sikur nuk kanë qeverisur. Njëri flet për krim e drogë, tjetri për tepsi, a thua nuk ishin këta që na qeverisën për 4 vite, që nuk sollën qindra e mijëra të zeza për Shkodrën”, tha Basha.

“Askush nuk e harron, ju të gjithë e dini, Shkodra e mban mend. Edi Rama premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, ulje të taksave për 95% të shqiptarëve, legalizime falas, shtet ligjor dhe rend. Nuk i mbajti këto premtime, e mbushi Shqipërinë me drogë, i rri taksat, qindra mijëra shqiptarë dolën nga puna. Nuk e harron Shkodra diskriminimin krahinor, 4 vite urrejtje të derdhur nga Edi Rama mbi Shkodrën. Nuk e harron Shkodra dhe shkodranët, harresën që iu bëri njeriu që iu premtoi subvencione dhe iu ktheu shpinën. Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin si kryetarë të opozitën në këto 4 ditët e fundit, por ishin bashkëkryetar të qeverisjes së mashtrimeve”, shtoi kreu i opozitës.

Basha gjithashtu akuzoi kreun e qeverisë se mbushi xhepat e oligarkëve nga xhepat e shqiptarëve. “Tash pas 4 vjetësh, pas 4 javësh cirk e estradë doli me premtime të tjera. Njeriu që premtoi shëndetësi fals dhe mbushi xhepat e 5 oligarkëve me 550 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat