Legalizimet, 60 përqind e procesit i papërfunduar

Shqipëria

Legalizimet, 60 përqind e procesit i papërfunduar

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 08:47
Agjencia e Legalizimeve

Të përfshira për rreth 12 vite në procesin e formalizmit, objektet e ndërtuara në pjesën dërrmuese të tyre ende mbeten të tilla. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Legalizimeve (ALUIZNI) numri i vetëdeklarimeve për legalizim në vitet 2006-2015 është 323,082 banesa, teksa kanë marrë lejeve vetëm 40% e tyre. Mirëpo më shumë se gjysma e këtyre objekteve që kanë marrë lejen e legalizimit nuk kanë arritur të marrin hipotekën. Kështu që objektet edhe pse me leje legalizimi nuk janë të tregtueshme. Sipas të dhë- nave nga ALUIZNI, numri i lejeve për legalizim për periudhën 2006-qershor 2017 është 132 000 banesa, nga të cilat 108 240 janë banesa dhe pjesa tjetër 23 760 janë objekte biznesi. Siç shihet nga të dhënat, mbeten për t’u legalizuar edhe rreth 190 mijë objekte ose 60 për qind e objekteve gjithsej.

Por ky numër është edhe më i madh për shkak se shumë banesa të ndërtuara në mënyrë ilegale nuk janë deklaruar, për shkak se poseduesit e tyre janë në emigracion. Banka Botërore, në raport të vitit 2012, pati njoftuar një shifër me mbi 400 mijë objekte të pa legalizuara. Objektet e ndërtuara pa leje kanë krijuar një ngërç në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në zinxhirin që është i lidhur me industrinë e “Real Estate”.

Noterët, bankat dhe agjentët e pasurive të paluajtshme do të përfitonin nga zhvillimi i tregut formal të pasurive të paluajtshme, i cili tani për tani është penguar nga një përqindje e madhe e pasurive të cilat nuk kanë një titull të pastër, nuk janë të regjistruara apo nuk janë të ligjshme. Pronarët e pasurive të tilla nuk mund të marrin kredi për të investuar në to. Harta e lejeve Por teksa vetëm një javë na ndajnë nga data e zgjedhjeve, dita pasuese e së cilës nuk dihet ende së kë do të sjellë në pushtet, projeksioni i ALUIZNI-t ka qenë që kjo të mbyllet me mandatin e dytë të së majtës, nëse e arrin, për të mbyllur përfundimisht procesin e legalizimeve, këtë herë brenda zonave urbane.

Me dhjetëra kanë qenë udhëzimet dhe vendimet e institucionit dhe qeverisë, jo vetëm për të zgjeruar hartën e objekteve, por edhe për të çliruar lejet për qëllime tregtimi, kreditimi etj. Sipas raportit të ALUIZNI-t, pas ndryshimit të strukturës së territorit në vend dhe miratimin e ligjeve të reja të territorit sipas modelit të 61 bashkive, u vendos që të zgjerohej edhe harta e dhënies së lejeve të legalizimit. Bëhet fjalë për ato banesa të ndërtuara në zona, të cilat deri më sot nuk kanë pasur fatin për të marrë dokumentin e lejes, ndërsa me zgjerimin e zonave të zhvillimit të territorit, automatikisht ato do futen në procesin legalizues.

Sipas institucionit, me planet e reja vendore, që tani ka hapësira të shtuara, në bashki të mëdha të vendit si Tiranë, Vlorë, Fier etj., do të kryhet intensivisht dhënia e lejeve, e cila i hap rrugë më tej edhe marrjes së dokumentit të tapisë në Hipotekë. Raporti thekson së është hequr mendë- sia për shembjen e banesave, por për gjetjen e një zgjidhjeje në të mirë edhe të “pronarëve” të objekteve. “Së pari, për këto zona urbane nuk do të ketë shembje të shtëpive, por ALUIZNI do të gjejë forma se si do veprohet me to. Për zona që legjislacioni sot nuk i lejon, ndërsa nesër jo, natyrisht që do të përfshihen në procesin e legalizimeve.

Për zona që bashkitë po bëjnë apo kanë mbyllur planet e reja rregulluese, ka hapësirë të shtuara në bashkitë e Vlorës, Tiranës, Fierit dhe pa diskutim që do të përfshihen në hartën e legalizimeve”, citon raporti. Ndërkohë, duke iu referuar zonave të mbrojtura arkeologjike, parqeve publike etj., më herët ish-drejtori i ALUZINI-t Artan Lame ka thënë se kjo do të mbetet sfida e radhës pas zgjedhjeve të qershorit, për të vendosur si do të veprohet me to.

“Sfida e mandatit të ardhshëm është ofrimi dhe gjetja e zgjidhjes për këtë fashë të ndërtimeve. Pra, praktikisht legalizimet, nuk janë më një problem elektoral. Pra, u kuptua se ajo që mund të bëhej u bë. Ka të tjera ndërtime që janë sërish në proces, për shkak të problemeve gjyqësore, çështja e pallateve etj. të cilat duan rrugën e tyre. Mbetet fasha tjetër e ndërtimeve, të cilat me ligjin e sotëm, të djeshmin, por edhe të nesërmin do të jenë të palegalizueshme. Bëhet fjalë për ndërtime në zona të mbrojtura kulturore ose mjedisore. Ne duhet të biem dakord që një shtëpi e ndërtuar në kalanë e Beratit nuk mund dhe nuk duhet legalizuar”, shprehet ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat