Basha zbulon nëse do të bëjë koalicion me Edi Ramën pas zgjedhjeve

Shqipëria

Basha zbulon nëse do të bëjë koalicion me Edi Ramën pas zgjedhjeve

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 22:49
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përjashtoi sot çdo mundësi që Partia Demokratike të qeverisë në koalicion me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Basha: Nuk ka qeverisje me Edi Ramën, Republika e Vjetër është në ditët e saj të fundit.

Çani: Nuk e ke thënë asnjëherë këtë, në çdo studio të kanë pyetur, të kanë thënë mund të ketë një qeveri të përbashkët, një koalicion të madh Lul Basha, Edi Rama, pra PS-PD, për të kryer disa reforma të rëndësishme për vendin dhe ti s’ke thënë asnjëherë jo, as ai ndërkohë. Këtu po më thua që s’do ketë qeveri të përbashkët?

Basha: Nuk është e vërtetë kjo që the. Që prej fillimit kam thënë, unë kam koalicionin tim. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një bashkim i madh qytetar kundër të keqes dhe e keqja mban stampën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Republika e vjetër do të zbrapset.

Duke iu referuar deklaratës së sotme të Kryeministrit Rama, i cili nga Berati u bëri thirrje “të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit që në momentin që lënë uniformën, pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS-në, që të mos lejojnë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu”, Basha tha se një gjë të tillë nuk e kishte bërë as Ramiz Alia.

Basha: Shiko ça bëri sot në Berat. U bëri thirrje policëve që pas orëve të punës të bëjnë fushatë derë më derë. Policët janë të depolitizuar që në 1991. Është 24 orë në shërbim, nuk mundet të angazhohen në asnjë aktivitet partiak. S’merren dot me politikë.  Kjo gafë, që nuk është gafë në fakt, është tregues i subkoshiencës është tregues i dëshpërimit… As Ramiz Alia nuk erdhi këtu sa t’u bënte thirrje ushtarakëve dhe policëve, përkundrazi, në 91 -shin u depolitizuan”.

Basha: Qindra zyrtarë janë nën përgjim

Duke folur për të mirat e marrëveshjes me Kryeministrin Rama që i dha fund protestës tre mujore të opozitës në “Çadrën e Lirisë” në Bulevardin para kryeministrisë, Basha tha se “kemi 7 gardianë (Ministra teknikë) në qeverinë e re. Dhe këta janë në krye të detyrës. Dhjetëra zyrtarë janë shkarkuar dhe kanë shkuar për ndjekje penale. Dhjetëra të tjerë janë gati të shkarkohen e të shkojnë për ndjekje penale, qindra zyrtarë janë nën përgjim në këtë moment që flasim dhe do të shkojnë prapa hekurave po u kapën duke abuzuar me detyrën dhe nuk mbaron këtu, do të shkojnë prapa hekurave edhe bosët e tyre politikë, që i urdhërojnë, sepse të gjithë e bëjnë me urdhër, ky është fillimi i Republikës së Re, prangat do t’u tunden të gjithë atyre që prekin votën.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat