Vëllai i “Ballist” Morinës: Ismaili pret fëmijën e tretë, duan ta ekstradojnë në Serbi

Shqipëria

Vëllai i “Ballist” Morinës: Ismaili pret fëmijën e tretë, duan ta ekstradojnë në Serbi

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 18:18
Ballist Morina

Ismail Morina apo ndryshe i njohur si Ballist Morina heroi i Dronit të Beogradit vazhdon të jetë i ndaluar në Kroaci prej disa ditësh, aty ku sot Gjykata e Dubrovnikut sipas informacioneve që disponon Opinion.al do të japë edhe masën e sigurisë.

Ballist Morina u ndalua tri ditë më parë në kufirin malazezo-kroat,  fillimisht për kalimi të kufirit pa mjete identifikimi, por nga sa mësohet nga të afërmit e tij ndalimi i vërtetë ka të bëjë me një urdhër ekstradimi nga shteti serb i cili e kërkon për llogari të tij për ngjarjen e 14 tetorit 2015 në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri ku një dron me flamurin” Autochtonus” i ngritur sikundër u mësua më pas nga një shtetas shqiptar i vetëidenntifikuar si Ismail “Ballist” Morina, solli edhe ndërprerjen e ndeshjes. 

Gazetari Dritan Laci ka kontaktuar me Xhevahir Morinën vëllain e Ismail Morinën për të mësuar më shumë mbi atë që po ndodh me atë që deri dje e quanim “Heroin e Beogradit” por që sot shteti shqiptar sipas të afërmve të tij nuk është kujdesur aspak  për ti dhënë ndihmë ligjore në këto momente të vështira, ku ekstradimi në shtetin serb mund ti rrezikojë edhe jetën. Jo vetëm kaq, por sipas vëllai të tij, shteti është përgjegjës edhe për faktin që ka mëse dy vite që e ka lënë pa mjete identifikimi, çka e detyroi së fundmi të merrte një rrugë e cila mund të rezultojë fatale për lirinë e tij.

“Ismaili erdhi në Shqipëria nga Italia më datë 3 qershor, pasi babai ynë ndërroi jetë nga një infarct I zemrës. Për të nuk ishte e lehtë të vinte, pasi prej shumë kohësh shteti shqiptar I mban të bllokuar pasaportën, për arsye që tashmë dihen. Babai u varros me datë. Sipas zakoneve tona ne presim njerëz deri në të pestat. Duhet të sqaroj se Ismaili ka hyrë në Shqipëri nga Rinasi, me një letër të marrë në konsullatën shqiptare në Milano. Ai ka lënë në Itali gruan italiane me origjinë arbëreshe që aktualisht është shtatzanë dhe dy fëmijët. Pasi ka mbyllur zakonet e mortit, unë dhe Ismaili jemi nisur për tu kthyer në Itali nëpërmjet rrugës tokësore nga Mal I Zi e më tej në Kroaci, Slloveni për të dalë në kufirin me Italinë në veri”.

Në kufirin me Malin e Zi duket se kanë filluar edhe problemet e para serioze për Ismail Morinën.

“Sapo kemi kaluar në doganën malazeze ndaj nesh ka filluar një terror I vërtetë. Ismaili ka pasur me vete lejeqëndrimin italian.  Autoritetet malazeze sapo panë emrin Ismail Morina filluan ti bëjnë pyetje nga më të ndryshme provokuese. Madje i grisën edhe një bluzë të ekipit të Kukësit që ja kishin dhuruar tifozët me rastin e shpalljes në kërkim. Aty kuptuam që malazezët e njohën Ismail Morinën. Pasi na mbajtën një kohë të gjatë për kontroll na lanë të lirë, por një makinë policie na ka shoqëruar për afro 20 km ne territorin malazez. Kur kemi menduar se kemi shpëtuar dhe po I drejtoheshim kufirit kroat aty më pas ndodhi ajo që nuk e prisnim. Në doganën kroate Ismaili nuk u la të kalonte më tej, ndërsa unë po. Arsyeja ishte një urdhër ekstradimi nga Serbia. ”

I pyetur përse nuk e kishin kërkuar rikthimin e pasaportës nga autoritetet shqiptare, Xhevahir Morina, thotë se kanë bërë disa herë kërkesë për ta mundësuar një gjë të tillë, por Prokuroria nuk ja ka kthyer Ismail Morinës pasaportën edhe pse hetimet janë mbyllur.

“Jo vetëm që nuk na e kanë kthyer pasaportën, por donin të na bllokonin edhe lejen e marrë në konsullatën e Milanos. Prandaj edhe u detyruam të kalonim nëpërmjet kufirit tokësor”

Frika më e madhe tashmë e familjarëve të Ismail Morinës është vendimi i mundshëm i autoriteteve kroate për të zbatuar urdhrin për ekstradimin e tij në Serbi. Sipas Xhevahir Morinës, sot në Gjykatën e Dubrovnikut në Kroaci ndodhet edhe gruaja shtatzanë e Ballist Morinës e cila është me profesion jurist, bashkë me dy fëmijët.

“Ne shpresojmë dhe i bëjmë thirrje shtetit shqiptar ta ndihmojë Ballist Morinën. Atë që bëri vëllai ynë në Beograd ishte një rast unik. Ballist Morina tani nuk i përket më vetvetes por gjithë shqiptarëve që i ka bërë krenar. Një miku, një biznesmen i njohur ka vendosur një garanci 15 mijë eurosh me qëllim që Gjykata e Dubrovnikut ti japë Ballist Morinës lirinë me kusht kundrejt garancisë.  Jemi në një terror të vertetë nga ajo që mund të ndodhë, dhe nëse vëllai ynë ekstradohet kjo është edhe përgjegjësi e vetë ne shqiptarëve, shtetit shqiptar për neglizhencën”, e mbyll vëllai i Ballist Morinës apelin e tij për pushtetarët në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat