Një ditë me Bashën

Shqipëria

Një ditë me Bashën

Më: 12 qershor 2017 Në ora: 21:26
PD

Grupi i punës  në PD, që merret me detajet , para se Lulzim Basha të hyjë në takim, së pari sistemon karriget, që  edhe pse modeste, nuk janë  aq të thjeshta, sa ngjajnë.

Ato kanë një simbolikë të veçantë për demokratët, pasi janë që nga koha e çadrës. Kudo që ata shkojnë, i marrin me vete, si për të kujtuar ato ditë të sakrificës që ishin të bashkuar në një vend.

Janë edhe disa të rinj që mbajnë flamurin blu në duar, ku për hir të vërtetës ai është elementi i vetëm që të kujton Partinë Demokratike të vjetër. Në bluzat e bardha, shkruhet Republikë e Re dhe asgjëkund nuk ka një element që të na sjellë në mend, blunë historike. Blunë e Berishës.

“Unë jam demokrate që në kohën e Berishës, por di të them që në këtë periudhë Partisë Demokratike i duhet Basha. Ai po ndërton Republikën e Re dhe ishte e domosdoshme të viheshin fytyra të reja e të bëheshin disa ndryshime në parti. Ne kemi shumë besim tek kandidatët, ata duken që janë të aftë, janë me  energji të re.”

Por, ka dhe të tjerë që nuk mendojnë se ato lista ishin të duhurat. Si një demokrate e zjarrtë që prej ’91, Luljeta,  që është për Partinë Demokratike të vjetër.

“Basha bëri një gabim, ai nuk duhej të kishte hequr nga lista emra si Patozi, Selami apo Topalli. Ata kanë ndërtuar partinë dhe i duhen Parlamentit. Por, përsëri unë në 25 qershor do të votoj PD-në. Sa të jetë gjallë Sali Berisha, unë do jem demokrate, sepse si Saliu nuk bën më PD-ja.”

Në grumbullin e militantëve ka dhe nga ata votues si Sherafi.

“Unë kam ardhur sepse më pëlqen të dëgjoj njerëzit e zgjuar. Ndaj mundohem që të mbledh sa më shumë nga ato që kandidatët prezantojnë. Unë në ‘91 kam votuar PD-në. Më pas, votën time ia kam dhënë PS-së, por kësaj radhe nuk ia jap. Kam vendosur t’ia jap Bashës, do ta provoj njëherë me të, mendoj se programi i tij do të sjellë ndryshime dhe ne pensionistët nuk do të jemi në harresë, siç kemi qenë deri tani, thotë Sherafi për dritare.net

Fieri është një qytet shumë i rëndësishëm për partitë, qendra e dytë ekonomike e vendit, siç edhe Basha e cilëson. Është qarku i dytë më i madh dhe rrjedhimisht numri i zgjedhësve është shumë i lartë.  Ndaj, çdo parti e do Fierin si hambar votash.

Por, që prej 1996, demokratët kanë humbur gjithmonë në këtë qytet. Ndaj, pa frikë Fierin mund ta cilësojmë si antipod të Shkodrës, qytet bastion i PD.

Përsëri mbështetësit demokratë janë të bindur që Fieri, në 25 qershor do të jetë me Partinë Demokratike.

Stafi francez i Bashës

Stili i veshjes së Bashës nuk ndryshon shumë nga takimi në takim, për fushatë. Atë gjithmonë e sheh me këmishë ngjyrë të kaltër ose të bardhë, e me pantallonat ngjyrë bezhe.

Për rreth 40 minuta kryetari demokrat qëndroi në këmbë duke shpjeguar programin e vet, ku foli për ekonominë, punësimin, fëmijët, shëndetësinë, pensionistët, e shtresat në nevojë. Nuk munguan as akuzat ndaj partive kundërshtare, apo investimi i fundit, sheshi “Skënderbej”, të cilin Basha e quajti “bukuri që vret”.

Pas përfundimit të takimit, Basha nuk largohet, pasi për pak do të nisë emisioni me “Dritare me Rudinën”, në Vizon Plus.

Por, përsëri i lejon vetes të marr disa minuta për të pirë një kafe dhe të ndërrohet, me një veshje më zyrtare.  Me këmishë të kaltër, me pantallonat e zeza, të shoqëruar me xhaketë, Basha ulet përballë gazetares Rudina Xhunga.

Gati janë edhe dritat, kamerat e njerëzit që duartrokasin sapo kryetari hyn mes tyre. Teksa shfrytëzon momentin kur Bashës i vendoset mikrofoni, konsulenti i vet kujdeset për gjestikulacionin e tij, mimikën e çdo gjë të jetë sa më natyrale dhe e çlirët. Ndaj edhe letrat që Basha mbante me vete, duhej të hiqeshin. Ai është një nga shumë pjesëtarët e ekipit që kujdesen për imazhin e kryetarit, por djali nga Franca është elementi kyç.

Para se të hyjë në emision, ai i tregon liderit demokrat celularin e tij ku duken rezultatet shpërthyese të Makron. Mesa duket do ta frymëzojë me fitore dhe me buzëqeshjen e tij ngjitëse. Sakaq ndizen dritat. Regjistrimi i #dritaremeRudinën nisi. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat