Shkarkimet, Ministria e Drejtësisë nuk njeh autoritetin e Departamentit të Administratës Publike

Shqipëria

Shkarkimet, Ministria e Drejtësisë nuk njeh autoritetin e Departamentit të Administratës Publike

Më: 10 qershor 2017 Në ora: 08:43
Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë

Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë, përmes një reagimi pasditen e së premtes ka deklaruar se nuk e njeh vendimin e Departamentit të Administratës Publike, për kthimin në detyrë të sekretares së shkarkuar të këtij dikasteri.

“Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë zyrtarisht dhe nuk pret asnjë vendimmarrje nga Departamenti i Administratës Publike, i cili nuk ka asnjë autoritet për të kontrolluar dhe verifikuar urdhrat e Ministrit të Drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Në të saktësohet se, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar shkarkimin e sekretares së përgjithshme në bazë të ligjeve në fuqi dhe sqarohet se subjekti i interesuar mund ta kundërshtojë këtë vendim vetëm në rrugë ligjore.

“Ministria e Drejtësisë rikonfirmon që sekretarja e përgjithshme vijon të jetë ligjërisht e pezulluar nga detyra, se nuk është kthyer dhe nuk mund të kthehet në detyrë derisa të ketë rënë shkaku ligjor i pezullimit”, vijon njoftimi zyrtar.

Gjithashtu, në të bëhet me dije se, ministri i Drejtësisë po përgatit kallëzim penal ndaj drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike dhe ish-sekretares Juliana Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat