Ministria e Financave/ Vukaj paralajmëron Tatimorët: Mos kërcënoni bizneset

Shqipëria

Ministria e Financave/ Vukaj paralajmëron Tatimorët: Mos kërcënoni bizneset

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 09:37
Helga Vukaj

Ministrat teknikë të kabinetit qeveritar janë duke vëzhguar të gjithë strukturat e shtetit për ndikim dhe presion ndaj qytetarëve. Dje në qendër të një deklarate ishin inspektorët tatimorë. Përmes një deklarate, Ministria e Financave e udhëhequr nga ministrja teknike e propozuar nga Partia Demokratike, Helga Vukaj deklaroi se inspektorët tatimorë po ushtrojnë presion përmes gjobave ndaj subjekteve tatimpaguese për shkak të bindjeve politike. Ministria e Financave u bën thirrje tatimpaguesve që për çdo rast kur ata ndjehen nën presione abuzive të motivuara politikisht, të denoncojnë menjëherë këtij institucioni.

“Ministria e Financave, në kuadër të verifikimit të disa informacione, është njoftuar se inspektorë tatimorë po ushtrojnë presion përmes gjobave ndaj subjekteve tatimpaguese duke mbajtur ndaj tyre qëndrime selektive bazuar në përkatësinë e tyre partiake”, thuhet në deklaratë, duke i cilësuar këto veprime të patolerueshme dhe paralajmëron masa të ashpra ndëshkimore. “Veprime të tilla janë të patolerueshme. Ministria e Financave u kërkon Drejtorive Rajonale të Tatimeve si dhe inspektorëve tatimorë që të jenë profesional dhe korrekt në zbatimin e ligjit.

Në të gjitha rastet kur do të evidentohen presione dhe shantazhe të tilla përmes gjobvënies ndaj biznesit, do të merren masa ndëshkimore bazuar në legjislacionin në fuqi”, thuhet në deklaratën e ministres teknike të Financave. “Ministria e Financave u bën thirrje tatimpaguesve që për çdo rast kur ata do të ndjehen nën presione abuzive të motivuara politikisht, të denoncojnë menjëherë pranë nesh. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)”, thuhet në deklaratë.

Matura dhe premtimet

Ndëshkim është paralajmëruar edhe nga ndaj atyre që mund t’i bëjnë presion apo premtime maturantëve, që ditën e sotme do ti nënshtrohen provimeve për mbylljen e arsimit parauniversitar. Në një deklaratë për mediat, ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka garantuar mësuesit dhe nxënësit se procesi do të monitorohet rreptësisht. “Ne do të monitorojmë nga afër çdo aspekt të këtij procesi, duke mos lejuar asnjë ndërhyrje që mund të ndikojë në cenimin e standardeve të këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe me ndikim të gjerë në opinionin publik”, tha Karabina. Ministrja Karabina bëri me dije se çdo tendencë apo përpjekje për të shkelur rregullat e maturës, përmes presionit apo premtimeve, do të ndëshkohet.

“Çdo presion apo premtim i bërë maturantëve është i papranueshëm dhe në të gjitha rastet e evidentuara janë pjesë e procesit të verifikimit nga ana e MAS. Çdo shkelje e evidentuar do të ndëshkohet me rreptësinë më të madhe sipas legjislacionit në fuqi”, tha ministrja Karabina. “Vetë maturantët mund të denoncojnë ku ka shkelje të rregullave përmes një numër telefoni që do të publikohet në faqen e internetit të MAS”, shtoi ministrja. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë ministri teknik i Drejtësisë, që më parë drejtohej nga Petrit Vasili, Gazmend Bardhi shkarkoi tetë drejtorë për shkak të përfshirjes së tyre në fushatë. Ndaj tetë zyrtarëve të lartë të LSI-së është nisur edhe procedim penal. këto shkarkime vetë LSI-ja i cilësoi shantazhe ndaj administratës.

Denoncimi i Berishës 

Përmes një video, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar dje praninë e ish-kreut të bashkisë së Kavajës për përfshirje në fushatën e Partisë Socialiste. Berisha ndau për ndjekësit e tij në Facebook, një video ku duket Elvis Rroshi duke u premtuar të pranishmëve kanalizime në Kavajë. “Trafikanti dhe përdhunuesi udhëheq fushatën në Kavajë! Shikoni videon e qytetarit dixhital! “Përshëndetje doktor! Kjo është një video nga një aktivitet të PS-së në Kavajë. Është ish-kryetari Roshi qe u premton njerëzve sikur të ishte vetë kandidat, u jep urdhra e porosi drejtorëve të bashkisë”, ka qenë denoncimi i një qytetari që i kishte nisur videon ish-kryeministrit Sali Berisha. Elvis Roshi është larguar nga posti i kryebashkiakut të Kavajës, disa muaj më parë pas ndëshkimit nga ligji i dekriminalizimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat