Koalicion PS-PD pas zgjedhjeve? Ja çfarë mendon i "besuari" i Bashës

Shqipëria

Koalicion PS-PD pas zgjedhjeve? Ja çfarë mendon i "besuari" i Bashës

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 19:05
Kreu i PD-se, Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Preç Zogaj ka komentuar sot marrëveshjen PS-PD, ndërsa u ndal dhe tek fakti nëse mes këtyre forcave mund të ketë apo jo koalicion pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo jave’ në ‘News24’, Zogaj theksoi se koalicionin e vendosin qytetarët me votën e tyre.

“Marrëveshja e ka shtensionuar jetën politike dhe është pozitive. Sot jemi në fushatë ku flitet për projekte. Në fushatë duhet të dëgjojmë. Marrëveshja prodhoi këtë efekt. Kjo është një marrëveshje për bashkëadministrim të zgjedhjeve. Vet e kemi kërkuar këtë marrëveshje. Kur se kemi themi ça bëjnë këta. Unë kam qenë partizan për këtë marrëveshje. E njëjta gjë thuhej dhe kur PD mbështeste disa vendime të LSI. Siç ishte rasti i deklaratës së LSI që tha s’do shkohej në zgjedhje pa opozitën. Politika ka detyrimin që të bëjë marrëveshje ne duhet të shkojmë para me të. Ne ngelemi të ndryshëm, s’ja ndryshon marrëveshja. Marrëveshjet për çështje madhore janë të nevojshme për bashkëadministrimin e zgjedhjeve që do thonë se ka gjasa që s’do kontestohet. Koalicioni i madh per të cilin flitet shumë, është një gjë që ndodh në botë. Ndodh kur votat i prodhojnë. Siç është në Gjermani, që kanë bërë koalicionin e madh për 8 vite. Nëse në Shqipëri zgjedhjet nuk nxjerrin një fitues, koalicionin e madh nuk e vendosin partitë e mëdha, por zgjedhësit”, pohoi ai.

“Kam ndjekur një parim të zgjedhjeve, unë kam qenë gjithmonë me zgjedhjet jo me partitë. Disa herë kam thënë që Shqipëria nuk prodhoi fitues dhe duhej koalicion. Po vendi duhet të qeveriset, sa, dy vjet sa ta shohim të arsyeshme. Koalicioni është i pranueshëm nëse votat prodhojnë këtë situatë”, tha Zogaj për një koalicion të mundshëm mes PS-PD.

I pyetur në lidhje me ndikimin e ish-kryeministrit Sali Berisha tek zoti Basha dhe tek listat e kandidatëve të PD-së, Zogaj tha se kreu i PD-së i ka marrë vetë vendimet dhe se kjo është lista e tij.

“Ajo është një marrëdhënie e tyre. Unë mendoj kështu: Lulzim Basha ka kohë që prej fillimit që i merr vetë vendimet. Ky është një instrumentalizim i dualizmit për arsye të politikës. PS-së i ka interesuar gjithmonë që njerëzit të mendojnë se PD-në e drejton Sali Berisha. Lulzim Basha i ka marrë të gjitha vendimet edhe më parë. Kjo është lista e Lulzim Bashës. Që Basha ruan marrëdhëniet me të se e ka promovuar në politikë kjo është njerëzore. Por lista është e kreut të PD-së dhe ai e mbron si listën më të mirë të mundshme. Vendime të vështira por që lideri duhet t’i marrë”, deklaroi Zogaj.

Lidhur me marrëdhëniet e tij me Ramën si pjesë e opozitës së bashkuar në të kaluarën, kandidati i PD-së tha se sot nuk ka asnjë marrëdhënie dhe se ai meriton të largohet.

“Nuk kam asnjë marrëdhënien me kryeministrin Rama. Jam larguar nga opozita e bashkuar para zgjedhjeve të vitit 2013. Madje kam bërë fushatë për PD në 2013. I kam sqaruar arsyet me një letër të hapur zotit Rama. Sot është kryetari i partie politike kundërshtare. Meriton të largohet sepse nuk ka bilanc, ka vetëm propagandë.
Ramën unë e njoh herët. Unë jam një poet dhe shkrimtar para se të jem një politikan. Ai është artist. Kemi bërë një copë rrugë për kauza të ndryshme. Njihem me atë. Kemi punuar vite më parë për më shumë liri në media. Në 4 vjetshin e fundit e kam parë me sy shumë kritik Ramën. Shumë premtime nuk i majti, disa i ka realizuar në sens të kundërt”, tha Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat