Oketa: Basha tjetërsoi PD-në, pakti me Ramën i fshehtë

Shqipëria

Oketa: Basha tjetërsoi PD-në, pakti me Ramën i fshehtë

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 07:14
Kandidati për deputet i Frymës së Re Demokratike në Qarkun e Tiranës, Gazmend Oketa

Kandidati për deputet i Frymës së Re Demokratike në Qarkun e Tiranës, Gazmend Oketa, ka komentuar përjashtimin e politikanëve të vjetër të PD nga lista e deputetëve.

I ftuar në emisionin “Versus” të Artur Nurës në Report Tv, Oketa u shpreh se ky veprim ishte në kundërshim me statutin e Partisë Demokratike.

“Ndryshimet ishin joligjore. Është e papranueshme që një figurë politike si Jozefina Topalli të marrë vesh nga mediat se nuk do të jetë pjesë e garës politike. Ky është fundi i një subjekti politik. Një forcë e tillë nuk mund të garantojë zbatim ligji”, tha Oketa.

Ai foli gjithashtu edhe për marrëveshjen ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, duke e cilësuar si një marrëveshje të fshehtë dhe një marrëveshje jo të mirëfilltë partiake.

Oketa tha gjithashtu se FRD synon në këto zgjedhje një rezultat ndryshe nga ai i 2013-ës, megjithëse në Tiranë humbi mandatin e deputetit për pak vota.

“Në zgjedhjet e 2013-ës nuk u penalizuam vetëm se dolëm vetëm, por edhe sepse një numër i votave u tjetërsuan dhe Kodi Zgjedhor është jo korrekt. Opozita dhe maxhoranca kishin gjithë kohën në ndërtimin e një Kodi Zgjedhor që votat të mos kontestohen. Zgjedhjet e 2017-ës ka një veçori tjetër për shkak të një marrëveshje të fshehtë. Nuk kishim një marrëveshje të mirëfilltë partiake. Kemi një marrëveshje mes dy individëve për të shtyrë datën e zgjedhje”, tha ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat