Meta: Me 26 qershor, Basha dhe Rama do të telefonojnë Vasilin, por do jetë vonë

Shqipëria

Meta: Me 26 qershor, Basha dhe Rama do të telefonojnë Vasilin, por do jetë vonë

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 20:08
Ilir Meta

Ish-kryetari i LSI Ilir Meta mori pjesë këtë pasditen në një takim elektoral në Kamëz, ku nga aty ka kërkuar që LSI-së t’i jepet drejtimi i qeverisë.

Duke folur për koalicionet, Meta u shpreh se LSI-ja çdo marrëveshje me PS apo me PD e ka bërë në të mirë të Shqipërisë dhe të stabilitetit.

“Mos ua lini Shqipërinë oligarkëve, merrni Shqipërinë në duart tuaja. Nuk kemi në listën e LSI për Tiranë biznesmenë që shkojnë në parlament për ti vënë gjoba qeverisë apo partisë. A ka qenë LSI në të kaluarën në pushtet? Është pyetje shumë e drejtë dhe përgjigjia është shumë e drejtë. Ka qenë në vitin 2009 dhe ka bërë koalicion me PD pasi lidershpi i PS refuzoi koalicionin me LSI se donte ta merrte që atëherë i vetëm timonin dhe bëri koalicion me PD për stabilitetin e vendit, dhe gjatë atyre dy viteve ka dy ngjarje madhore, liberalizimi i vizave dhe gazsjellësi TAP.

A ka qenë LSI në koalicion me PS? Po dhe i ka vënë vetëm një kusht kur prishi kontratën me PD, të votonte 3 ligjet për integrimin europian që i kishte bllokuar përpara zgjedhjeve të 2013. Ne kemi qenë edhe në koalicion me PD, edhe me PS por kemi qenë si garanci e stabilitetit të vendit, qeverisjes dhe funksionit të institucioneve demokratike. Askush nuk mund të thotë se LSI ka bllokuar apo vonuar një ligj që ndihmonte për shpejtimin e integrimit evropian.

Por cfarë kërkon LSI tani? Po, LSI as në 2009 dhe as në 2013 nuk ka patur drejtimin e qeverisë, prandaj kërkon të jetë forcë e parë që të ketë drejtimin e qeverisë”, tha Ilir Meta.

Po ashtu, Meta ka paralajmëruar kreun e PD-së. Lulzim Bashën dhe kryeministrin Edi Rama se me 26 qershor do të marrinë kreun e LSI-së Petrit Vasilin në telefon për ta uruar për fitoren.

“Mbani mend se ata që u shanë dhe na nxorrën bojën, në 26 qershor në mëngjes nuk do të keni mundësi t’i telefononi Petrit Vasilit për t’i uruar fitoren sepse nuk do t’ju lënë ata. Ata nuk do t’ju lënë radhë juve sepse do futen në sherr kush të arrijë Vasilin i pari në telefon. Dhe do t’i thonë ‘Petrit vëlla urime, t’i lëmë ato, tani ti e kupton se si është situata e kështu me radhë”, tha Meta nga Kamza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat