Debati me kandidatët e Vetingut/ ‘Je e preferuara e Kryeministrit’, ja si përgjigjet Ina Rama

Shqipëria

Debati me kandidatët e Vetingut/ ‘Je e preferuara e Kryeministrit’, ja si përgjigjet Ina Rama

Më: 31 maj 2017 Në ora: 08:26
Ina Rama

Komisioni Ad Hoc ka zhvilluar dje seancat dëgjimore me kandidatët për anëtarë të komisioneve të vetingut.

Ligjvënësit pjesën më të madhe të kandidatëve i kanë pyetur vetëm për konfliktin e interesit, ndërkohë që debati është bërë për ish-prokuroren Ina Rama, ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, dhe ish-anëtarin e KLD-së, Sokol Çomo, shkruan “Panorama”.

PYETJE PËRGJIGJE ME INA RAMËN

Flamur Noka: Zonja Rama keni lidhje me ndonjë forcë politike?

Ina Rama: Jo, me askënd.

Flamur Noka: Keni qenë anëtare e ndonjë force politike?

Ina Rama: Jo.

Flamur Noka-Luan Ramës: Të lutem zoti Rama se ke konflikt interesi, se keni të njëjtin mbiemër.

Luan Rama: Unë s’po flas…

Ina Rama: E keni zgjeruar shumë konceptin e konfliktit të interesit me sa shoh.

Flamur Noka: Konceptin e konfliktit të interesit e zgjeron ligji, jo ne. E zgjeron dhe e ngushton ligji, jo ne.

Luan Rama: Referoju konceptit ligjor dhe je korrekt.

Flamur Noka: Zoti Rama, po të duash të referohem edhe ty. Në rregull pastaj, pasi të mbarojë seanca… Mendoni se ju gëzoni besueshmërinë e gjerë të publikut për të qenë e kualifikuar në këtë pozicion që keni aplikuar?Ina Rama: Unë besoj shumë që e gëzoj besueshmërinë e publikut. Nuk e di se sa gjerë, por ajo që di me siguri është që gjatë ushtrimit të funksioneve të mia në sistemin gjyqësor si gjyqtare, por edhe si Prokurore e Përgjithshme, kam vepruar me një përkushtim dhe përgjegjshmëri për të arritur sot në këtë ditë që ta besoj besimin e publikut dhe të besoj që e kam mbështetjen, por kjo është çështje perceptimit personal.

Flamur Noka: Jeni skualifikuar nga gara, pasi emri juaj ka shkuar për Gjykatën e Strasburgut. Jeni në dijeni?

Ina Rama: Kam dijeni se lista që qeveria shqiptare dërgoi për kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën e Strasburgut u skualifikua, u refuzua dhe u kthye mbrapsht nga komiteti që zgjedh gjyqtarët në Strasburg, për shkak të moszbatimit të procedurave nga ana e qeverisë në procesin përzgjedhës. Në komunikimin që ne patëm me sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë të KiE, nuk na u komunikua në mënyrë specifike arsyeja, por na u tha që shkaqet ishin të natyrës procedurale, që nuk vareshin nga kandidatët dhe për këtë arsye…

Flamur Noka: D.m.th. shkaqet politike?

Ina Rama: Jo, shkaqe procedurale. Unë sigurisht di këtë komunikim dhe më pas kjo doli edhe në vendimin që mori komiteti. Nuk kishte arsye personale.

Flamur Noka: A i jeni mirënjohëse Kryeministrit që këmbëngul që në çdo institucion kërkon të fusë emrin tuaj gjithë kohës?

Ina Rama: Unë nuk e di këtë fare. Nuk kam asnjë komunikim. Këtë, faleminderit që ma thatë se nuk e dija.

PYETJE-PËRGJIGJE SHPRESA BEÇAJ

Oerd Bylykbashi: Ju keni lidhje me subjekte politike? Apo zgjedhore?

Shpresa Beçaj: Është fakt i ditur që vajza ime është një kandidate për deputete.

Vasilika Hysi: Është e drejta e saj të kandidojë.

Shpresa Beçaj: Ajo është vajza ime, por është nuse në një derë tjetër dhe tani më nuk kam çfarë t’i bëj vajzës sime, se vajza ime do të kandidojë. Është e drejta e saj të kandidojë. Unë i kam vendosur vetes sime jo vetëm detyrë, por kam marrë mision për të kryer këtë funksion që mendoj se ju, dy pushtetet e tjera, shumë pak e vlerësoni. Dhe që shumë pak e vlerësoni kjo dihet. Ju duhet të kishit bërë shumë më shumë për pushtetin gjyqësor dhe për pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Vasilika Hysi: Më vjen keq që edhe ju, dhe zonja Rama keni vendime gjyqësore në xhep dhe nuk keni marrë emërime sipas kërkesave të Kushtetutës. Kjo është arsye e fortë pse duhet bërë Reforma në Drejtësi.

Luan Rama: Ligji kur flet për konfliktin e interesit të aplikantëve ka parasysh nëse zonja Beçaj ka ndonjë prej të afërmeve të vet, bashkëshort apo fëmijë, në sistem e Drejtësisë. Pra, nuk përbën konflikt interesi që vajza e zonjës Beçaj kandidon për një subjekt politik sepse do të ishte njësoj si të themi se është konflikt interesi pse zonja Beçaj është martuar te fshati i Flamurit pastaj, gjë që s’përbën konflikt interesi.

Oerd Bylykbashi: Ligji parashikon që personat të cilët do të marrin këtë detyrë të rëndësishme të mos kenë ndikim politik.

Shpresa Beçaj: Ju si deputetë të Parlamentit duhet të kishit pak arsye pse unë sot ndodhem këtu. Nëse do të ishte zbatuar ligji kundrejt meje si kryetare e Gjykatës së Lartë, atëherë i bie që unë nuk do të isha sot para jush sepse mosshqyrtimi i kërkesës së një anëtari të Gjykatës së Lartë dhe kryetarit për 5 vjet pa i dhënë përgjigje një institucion kushtetues, besoj se kjo është problematike. Dhe sa për dijeninë tuajën, që nga data 23 mars 2016 unë jam në mes të rrugës pa pagë dhe kjo duhet t’ju shqetësojë.

Flamur Noka: Mos u hyni komenteve që jeni pa punë, se nuk duhet të tregoni që keni inate me një institucion apo me një tjetër. Mos e thuaj që po kandidon se ata të kanë lënë pa punë. Kjo ishte këshillë.

PYETJE-PËRGJIGJE SOKOL ÇOMO

Flamur Noka: Keni qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë kabineti qeveritar?

Sokol Çomo: Po, para 19 vjetësh kur kryeja detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë jam ftuar nga kryeministri i kohës për të shërbyer në funksionin e zv.ministrit të Drejtësisë, funksion që e kam ushtruar për një vit e gjysmë dhe më pas jam rikthyer në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

Oerd Bylykbashi: Ju keni qenë anëtar i KLD-së i zgjedhur nga Parlamenti dhe keni raport me maxhorancën që ju ka zgjedhur. Mendoni se është diçka që do të krijojë perceptimin që jeni emëruar politikisht?

Sokol Çomo: Rregullimet kushtetuese parashikojnë që Kuvendi të zgjedhë tre anëtarë në KLD dhe të japë pëlqimin për anëtarët e Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në një Republikë parlamentare është Kuvendi verifikuesi të gjithë anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Qoftë anëtarët e KLD-së apo gjyqtarët, s’mund të perceptohen nga publiku si njerëz politikë për faktin se Parlamenti i ka votuar ata. Ju garantoj që në aktivitetin tim nuk kam asnjë aktivitet politik dhe s’kam qenë anëtar i ndonjë partie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat