“Rama të presë i qetë fatin që i ka caktuar Reforma në Drejtësi, kurse Berisha…”

Shqipëria

“Rama të presë i qetë fatin që i ka caktuar Reforma në Drejtësi, kurse Berisha…”

Më: 30 maj 2017 Në ora: 14:23
Sali Berisha dhe Edi Rama

Avokati Spartak Ngjela teksa analizon situatën politike në vend e krahason me një kazan që po valon dhe akuzon bashkimin e dy palëve si të fëlligësht, për ndalimin e reformes ne drejtesi.

Në një postim në profilin e tij ne FB, Ngjela shkruan se askush nuk mund ta pengojë reformen dhe ndeshkimin qe vjen prej saj.

Duke kujtuar skenarin maqedonas, Ngjela shkruan se “Të njëjtën gjë pësoi edhe banda e Saliut në Tiranë. Po Rama?  Ky të ketë kujdes: duhet ta presë qetë – qetë fatin që i ka caktuar personalisht apo në grup Reforma në Drejtësi. Të gjitha rrugët drejt Saliut janë falimentimi i tij i shpejtë”.

Image
Avokati Spartak Ngjela

Postimi i Ngjelës

Turbull, turbull avullo
Digjiu, zjarr, kazan valo

Kështu i kënduan Magbethit të Tria Magjistricat, sipas shqipërimit të Fan Nolit

Edhe kazani ynë po valon, pavarësisht se nuk ka magjistrica që t’u këndojnë birbove që po duan të donojnë Shqipërinë me shkatërrim oriental. Dhe janë ndërkohë në frikë dhe si të mpirë, por faktikisht pa asnjë shpresë.
Saliu vjen vërdallë dhe kërkon ndihmën e Ramës. Rama fshihet dhe flet broçkulla me grupe njerëzish të habitur, kurse kazani avullon: është nxehur me “energji bërthamore”. Askush nuk shpëton dot nga ky kazan: energjia vjen nga USA në Tiranë, në Shkup dhe në Prishtinë.
A mundet që një bashkim i fëlligësht i të dyja palëve ta ndalojë Reformën Shqiptare? A e patë si ra Çadra në dy orë? Ky është edhe fati i ri i të korruptuarve edhe nëse iu është hapur nepsi për bashkim.

Duhet qeshur me marrëzinë shqiptare tani, se po ikën koha e drejtimit të të marrëve hajdutë në Shqipëri.

l.
E kanë kot: një rrugë e nisur keq përfundon për shumë më keq.
Nuk e mundin dot politikën amerikane këta injorantë që nuk shohin dot përtej hundës së tyre, dhe që, meqë nuk dinë të bëjnë asgjë, duan të grabisin gjithçka. Por në fakt kanë hedhur kthetrat mbi jetën normale të shqiptarëve.
Këta i dinë shqiptarët një popull të trembur. Por këtë herë në zgjedhje do të kenë përballë rininë patriotike dhe perëndimore shqiptare, dhe gjendja fillon ndryshimin e vet në përkrahje.

Kazani po valon, ama. Shumë mirë. Do të ndodhë më e mira, edhe pse politika aktuale nuk e dëshiron reformën për një shtet modern e të drejtë që po e drejton prej tre vjetësh Politika amerikane në Shqipëri.

ll.
Ngritja reale e një shteti të drejtë dhe institucional shqiptar, ka qenë gjithmënë një kërkesë e shqiptarëve të mëdhenj: Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Gjergj Fishta, Lasgush Pogradeci, Mit’hat Frashëri e disa të tjerë si këta nuk u lanë nga reaksioni terrorist i fqinjëve rrethe e rrotull Shqipërisë që të krijonin veprën e tyre të pastër patriotike, e cila filloi me Lidhjen e Prizrenit dhe mbaroi me pavarësinë e Shqipërisë së gjymtuar nga Rusia, Serbia dhe Greqia. Te këto shtete kërkon të mbështetet sot korrupsioni i lartë shqiptar në luftën e tij për mbijetesë, dhe me këta shtete grabitësish u ndeshën realisht patriotët tanë të mëdhenj. Gjithmonë korrupsioni i brendshëm është bashkuar me ta, njëlloj si sot.

Patriotët e mëdhenj, në një trego historike i lanë vetëm. Pa përkrahje, sidomos pas mbarimit të Luftës së Parë Botërorë. Kjo në fakt ka qenë fatkeqësia e të gjithë botës shqiptare në Ballkan. Humbja e Austo-Hungarisë në atë luftë, u shoqërua me genocidin e paparë antishqiptar greko-sllav. Kudo… në të gjitha shtetet që ngulmuan thekshëm të ngriheshin mbi hirin dhe shkatërrimin shqiptar.

Sot politika anglosaksane e ka konsideruar gabim të madh historik prishjen e Austro-Hungarisë dhe krijimin e Jugosllavisë, një pseudoshtet, një e treta e të cilit duhej ngritur pas sakrifikimit të rreth 2 milionë shqiptarëve me genocid të hapur: me vrasje, me shpërngulje në Turqi dhe me dëbim në Shqipëri.

lll.
Nuk ka gjë më cilësore në heroikën kombëtare të një populli sesa triumfi i tij me mbijetesë. Këta janë shqiptarët sot.

Në fakt ky është thelbi edhe i aleancës shqiptaro amerikane. Mbijetesa shqiptare e gjuhës, kulturës dhe historisë, përbën sot boshtin e politikës së re ballkanike amerikane që shpejt do të tentojë drejt politikës së lartë ndërkombëtare perëndimore. Por kjo ndien pengesë nga bashkim i korrupsionit shqiptar kundër procesit modern të shtetit shqiptar.

Të dy shtetet shqiptarë në Ballkan janë drejt një fermentimi të përbashkët dhe zhvillimi të njëjtë: këta janë në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në funksion të kësaj, në Kosovë po spikat se vjen në pushtet një hero: Ramush Haradinaj. Po në Tiranë?
Kjo nuk dihet se kush vjen në pushtet. Ende korrupsioni i përgjithshëm ka shpresë të një bashkim konspirativ që t’i shmanget konceptit amerikan.
Koncepti amerikan kërkon të dominojë në Shqipëri me anë të Reformës Shqiptare. Ajo tani është kryer konstitucionalisht në letër. Prandaj kot lodhen. E patë si përfundoi Çadra e Saliut? Po Rama, mos po e qan gjë prishjen e Çadrës nga amerikani Brian Yee?

lV.
Gjendja në Shqipërinë elektorale do këtë risi të skajshme.
Në Tiranë sot janë hedhur në sulm të gjithë “grabitësit” kundër, dhe çfarë nuk po trillojnë. Me ca antikombëtarë bastardë të brendshëm të trembur nga ndëshkimi i shpejtë duan të bllokojnë gjithçka.

Por e kanë të kotë: është e pamundur të destabilizohet Shqipëria, as Kosova dhe as Maqedonia.
Ngjarja më e qartë ishte kthesa e menjëhershme e bandës maqedonase të Gruevskit dhe Ivanovit. Ku e kanë pra Moskën e tyre këta maqedonas agresivë?
Të njëjtën gjë pësoi edhe banda e Saliut në Tiranë.
Po Rama?
Ky të ketë kujdes: duhet ta presë qetë – qetë fatin që i ka caktuar personalisht apo në grup Reforma në Drejtësi. Të gjitha rrugët drejt Saliut janë falimentimi i tij i shpejtë.

V.
Politika amerikane sot ka krijuar dy shtete shqiptarë në Ballkan me gjashtë milionë banorë bashkë, dhe ka filluar nismën për stabilizimin shqiptar në shtetin e tretë: në Maqedoninë me rreth një milionë e gjysmë shqiptarë në të.

Sigurisht që shpejt, pas këtyre, do të fillojë mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Greqi. Kurse në Tiranë një grup hajdutësh që presin ndëshkimin, po i luajnë të gjitha gurët që të bllokojnë progresin aktual.
Por janë injorantë, vjedhës dhe grabitës vlerash monetare të shtetit shqiptar që mendojnë se frika e përbashkët mund të përbëjë një bosht force.

Si rregull frika krijon çoroditje dhe jo forcë, por shpesh, të tremburve çoroditja iu jep një shpresë absurde drejt bashkimesh që i fundosin edhe më thellë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat