Rama e kërcënon me prishje të paktit, Basha reagon

Shqipëria

Rama e kërcënon me prishje të paktit, Basha reagon

Më: 25 maj 2017 Në ora: 09:40
Lulzim Basha

Deklarata e kryeministri Edi Rama se do të prishet pakti nëse Partia Demokratike nuk realizon procesin e vetting-ut ka rikthyer mes PS-së dhe opozitës. Ndërsa kreu demokrat pas kësaj deklarata i është rikthyer akuzave të vjetra, duke deklaruar se, Rama pasi nuk mbajti as edhe një premtim të vetëm, Rama ka filluar të premtojë nga e para. Ndërkohë shefi i qeverisë i ka kujtuar Bashës se vetting- u duhet të mbyllet brenda këtij muaji, në rast të kundër e paralajmëron atë me dhënien fund të marrëveshjes së arritur një javë më parë.

“Nëse PD nuk do ta zhbllokojë brenda majit vettingun, marrëveshja është e prishur. Vettingu është arsyeja themelore përse ne bëmë marrëveshjen. Brenda majit, deputetët e shumicës dhe të opozitës duhet të zgjedhin në listën e ekspertëve që është verifikuar nga ONM, anëtarët e dy komisioneve të vettingut”, tha ai. Rama shpjegoi marrëveshjen me opozitën, duke thënë se ata janë në qeveri për t’u garantuar për zgjedhjet. “Qeveria është aty, për të garantuar sot zgjedhjet, që ata të mos dalin më 26 qershor e të thonë se ua vodhën, ua morën, ua hëngrën, ua grabitën, sepse ata do të kishin fituar, e të tilla gjëra”, tha Rama. Rama foli edhe për ankesat që vijnë nga partitë e vogla në lidhje me marrëveshjen me opozitën. Kryetari i Partisë Socialiste përmendi sërish kërkesën për 71 mandate. “Këto fytyra që kanë çerekshekulli, që e luajtën mendsh këtë popull, në datën 25 duhet të marrin përgjigje nga i gjithë ky popull.

Ne duam timonin e qeverisë, pa njerëz në prehër, pash nderin. Mendoj se ne jemi sot në një moment historik, totalisht historik. Ka mbaruar pjesa e parë e ndeshjes e jemi në avantazh. Tani kemi ndeshjen e kthimit. Doni që ta mbyllim me fitore për të gjithë shqiptarët?”, tha Edi Rama. Reagimi Nga ana tjetër kryetari i PD Lulzim Basha ka lëshuar një lumë akuzash ndaj kryeministrin Edi Rama, duke dhënë sinjale se gjatë fushatës nuk do ta kursejë. Në një postim në Facebook, Basha ka deklaruar se, pasi nuk mbajti as edhe një premtim të vetëm, Rama ka filluar të premtojë nga e para. “Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë”, ka deklaruar Basha. Ai ka theksuar se, shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, ndërsa kryeministri gënjen sërish duke premtuar se do ta bëjë falas në mandatin e dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat