Strategjia “Alla Dushk” i Edi Ramës për të fituar 71 mandate

Shqipëria

Strategjia “Alla Dushk” i Edi Ramës për të fituar 71 mandate

Më: 25 maj 2017 Në ora: 09:12
Takimi Rama me aleatët

Munges e koalicioneve politike në zgjedhjeve duket se ka zënë ngushtë Partinë Socialiste, e cila me objektivin për arritur 71 mandate për qeverisjen e vetme, pa pasur aleatët e tjerë, synon të zbatojë një strategji ku aleatët e PS-së (edhe pse nuk janë në koalicion në këto zgjedhje) t’i bëjnë thirrje votuesve që të votojnë për siglën e PS-së. Me këtë manovër Edi Rama nuk do që të ketë pengesa dhe të ndajë pushtetin me aleatë për një qeverisje tjetër të mundshme katërvjeçare. Partia Socialiste në këto zgjedhje synon të marrë mbi 71 mandate në Parlament, që siç është shprehur kryesocialisti Edi Rama, PS-ja të mos mbajë asnjë forcë tjetër politike në “prehrin e saj”.

A do ta arrijë PS-ja këtë synim? Kjo do të vendoset nga votuesit qytetarë por ajo që mund të thuhet është se Edi Rama e ka të mirë menduar strategjinë si mund të arrihet kjo gjë. Pasi u përjashtua mundësia e garës në koalicione strategjia e dy forcave më të mëdha duket se është marrja e votave të partive aleate. Për të pasur të sigurt këtë kryeministri Edi Rama thirri dje 23 kryetarët e partive të vogla, aleate me PS-në në dy zgjedhjet e fundit për t’i bindur ata që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe të bashkëpunojnë që votat e tyre të shkojnë tek PS-ja.

Burime nga takimi i Ramës me aleatët e vegjël është mësuar se po në takimin e djeshëm Rama dhe aleatët e tij kanë hartuar edhe strategjinë se si këto vota të partive të tjera do të shkojnë tek PS-ja. Aleatët e Ramës, tashmë nuk do të punojnë më për të rritur influencën e tyre në elektorat por do të punojnë që votat e mbështetësve të tyre të shkojnë tek Partia Socialiste, që t’i sigurojnë asaj të qeverisë e vetme në një mandate të dytë në krye të qeverisë. Ky model votimi është i kundërt me modelin famëkeq të Dushkut.

Nëse në 2001, kryetari i partisë më të madhe u bënte thirrje qytetarëve që të votojnë për aleatët e saj, në këto zgjedhje strategjia është që votat e aleatëve të shkojnë tek një parti. Formula e Dushkut bënte që një në një zonë të caktuar zgjedhore të merreshin numër maksimal votash dhe për pasojë mandatesh në Parlament, kjo për siguruar votat e zgjedhjes së Presidentit. Ndërsa ky model u bë masiv në zgjedhjet e parlamentare të 2005-ës, ku të vegjlit fituan deri  mbi 10 mandate.

Takimi me 23 aleatët

Kryesocialisti Edi Rama priti në selinë rozë 23 aleatë të tij të vegjël për t’i sqaruar lidhur me pamundësinë për të garuar në koalicione dhe për ti kërkuar atyre që të bëjnë fushatë për PS-në. Takimin me aleatët e ka thirrur vetë Edi Rama dhe në të ka qenë i pranishëm edhe deputeti Musa Ulqni. Burime nga takimi bënë të ditur për “Shekullin” se Rama u ka kërkuar ndjesë atyre për mosrespektimin e marrëveshjes që kishte me secilin prej tyre dhe u ka shpjeguar kushtet aktuale, që e detyruan të garonte me vete. Sipas burimeve, Rama është shprehur se nuk ka qenë i përgatitur që Partia Demokratike të shkonte deri në atë pikë, që të mos hynte në zgjedhje.

Megjithatë, Rama ka shtuar se ai vazhdon t’i konsiderojë ata aleatë dhe u ka kërkuar të punojnë se bashku me ekipet e Partisë Socialiste në fushatën zgjedhore. Ai po ashtu u ka kërkuar ndjesë aleatëve të tij që nuk ka respektuar marrëveshjen me secilin prej tyre dhe në këtë pikë ka dhënë një argument. Siç kanë pohuar burimet nga takimi, Rama u ka thënë aleatëve se qeverisja katërvjeçare me LSI-në dhe PDIU-në ka qenë e vështirë dhe ai e ka pasur të pamundur që të realizojë pikat e marrëveshjes me parti të tjera. “Ka qenë një koalicion i vështirë, me gjithë arritjet që kemi pasur. Në këtë aspekt unë ndihem borxhli ndaj jush”, është mësuar të ketë thënë Edi Rama.

Strategjia

Aleatët e Edi Ramës, që ai i ka kërkuar të çregjistrohen nga zgjedhjet, do të bëjnë fushatë për Partinë Socialiste. Strategjia është diskutuar me secilin prej tyre. Burime nga takimi thonë se aleatët e vegjël, që do të pranojnë të ç’regjistrohen ose ata që nuk janë regjistruar në KQZ për të qenë pjesë e garës në 25 qershor, do të bëhen pjesë e grupeve të PS-së për fushatë. Strategjia do të jetë që, në ato zona ku aleatët e tij mendojnë se kanë elektorat, ata të jenë pjesë e takimeve elektorale të Partisë Socialiste dhe t’u thonë atyre se duhet të votojnë PS-së që të dalë, jo vetëm forcë e parë, por që të mos ketë nevojë për parti të tjera që të qeverisë. Kjo kërkesë është shqyrtuar me secilin aleatë dhe ata kanë treguar zonat ku kanë më shumë mbështetës.

15 partitë e regjistruara në KQZ

Partia Komuniste e Shqipërisë

Sfida për Shqipërinë

Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen

Partia Lista e Barabartë

Aleanca Popullore për Drejtësi

Partia Demokracia Sociale

Partia Aleanca Demokratike

Partia Kristian Demokrate

Lëvizja Socialiste për Integrim

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare

Partia për Drejtësi Integrim Unitet

Partia Social Demokrate

Partia Socialiste

Fryma e re Demokratike

Partia Aleanca Demokristiane

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat