18 qershor pa opozitën? Basha i përgjigjet Ramës: Dy janë zgjedhjet, rrugë tjetër nuk ka!

Shqipëria

18 qershor pa opozitën? Basha i përgjigjet Ramës: Dy janë zgjedhjet, rrugë tjetër nuk ka!

Më: 14 maj 2017 Në ora: 19:39
Lideri i opozitës Lulzim Basha

Lideri i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama se në 18 qershor vendi do të shkojë në zgjedhje teksa PD prej kohësh, e pambështetur nga asnjë kancelari europiane do të përballet me shkatërrimin.

Basha shkruan në rrjetin e tij social se demokratët u vunë përpara dy zgjedhjeve. Në njërën anë të ulnin kokën dhe të pranonin fatin që u takonte nën pushtetin e asaj që ai quan republikës e vjetër.

Ose, në anën tjetër, të luftonin për të çmuntuar krimin dhe drogën në pushtet përmes një qeverie teknike. Sipas Bashës, rruga e dytë është në dorën e Ramës për t’u pranuar, por kryedemokrati thekson gjithashtu se, me njërën apo tjetrën mënyrë, krimi dhe droga do të përmbysen, ashtu si edhe “Republika e Vjetër”.

STATUSI I PLOTË:

Shqiptarët folën. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste. Nuk do të ketë kurrë më një diktaturë moniste që emëron edhe opozitën fasadë.

Ne kishim dy zgjedhje përpara. Zgjedhja e parë ishte të ulnim kokën e të pranonim fatin tonë si skllevër të republikës së vjetër të krimit, të drogës e të oligarkëve, të pranonim republikën e vjetër ku i gjithë pushteti politik dhe ekonomik kontrollohet nga pak njerëz që shtypin çdo të drejtë dhe mundësi të shumicës së shqiptarëve. Përgjigjen për këtë, shqiptarët e dhanë dje me bashkimin e tyre më të madh kur njëzëri thanë: Kurrë!

Zgjedhja e dytë është në dorën e republikës së vjetër. Të çmontojmë krimin dhe drogën në pushtet e t’u kthejmë pushtetin qytetarëve përmes qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme ose të përmbysim republikën e vjetër përmes bashkimit, marshimit dhe qëndresës popullore të qytetarëve të Republikës së Re.

Në njërën apo tjetrën mënyrë, krimi do të çmontohet, droga do të çmontohet, republika e vjetër do të përmbyset. Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat