Meta: Shqipëria partner solid i NATO-s

Shqipëria

Meta: Shqipëria partner solid i NATO-s

Më: 10 maj 2017 Në ora: 14:35
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta bashke me nje një delegacion të Kongresit të SHBA-ve

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti të mërkurën një delegacion të Kongresit të SHBA-ve, i cili kryesohej prej Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Bob Goodlatte, me të cilin u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në drejtim të forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.

Kongresisti Goodlatte, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërparlamentar mes dy vendeve përcolli përshëndetjet më të ngrohta të kryetarit të Kongresit Amerikan, Paul Ryan dhe e uroi Meta për zgjedhjen në postin e presidentit të Republikës.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA duke ndarë bindjen se Shqipëria është një partner solid i NATO-s me peshë të rëndësishme për avancimin e agjendës euro-atlantike të vendeve fqinje.

Në këtë kuadër Meta vuri në dukje se forcimi i sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit, ku SHBA kanë interesa strategjikë afatgjatë. 

Në përfundim, kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, Shqipëria është e përkushtuar ndaj agjendës së saj euro-atlantike dhe populli shqiptar ndjehet mirënjohës për miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara, e cila kontribuon në zhvillimin demokratik dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat