KQZ miraton listat e 15 partive për 18 qershorin

Shqipëria

KQZ miraton listat e 15 partive për 18 qershorin

Më: 7 maj 2017 Në ora: 17:07
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur sot procedurën e pranimit të listave të kandidatëve për partitë politike, nga ku rezulton se vetëm 15 parti do të marrin pjesë në zgjedhje.

Afati i fundit për miratimin e fletës së votimit, është data 9 maj. Më pas do të jetë shorti ai që do të përcaktojnë renditjen e këtyre forcave politike në fletën e votimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të nenit 98, pika 1, të Kodit Zgjedhor, me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 “Për miratimin e modeleve të fletëve të votimit për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017” miratoi modelet e fletëve të votimit për subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017.

Pas përfundimit të procesit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore, si dhe miratimit të listave shumëemërore të paraqitura prej tyre, rezultoi se janë regjistruar numër më vogël subjektesh se sa kur u miratuan specifikimet teknike të fletës së votimit.

Konkretisht gjatësia e fletës së votimit e miratuar me vendimin nr. 13, datë 12.01.2017 është 420 mm (A3) dhe mund të përfshihen në të deri në 66 subjekte. Pas miratimit të listave shumëemërore rezulton se numri i subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin 2017, është 15 dhe për këtë fakt gjatësia e fletës së votimit është e panevojshme të jetë sa është parashikuar në vendimin nr. 13, datë 12.01.2017. Gjatësia e fletës së votimit me përmasa 220 mm, është e përshtatshme për pasqyrimin e 15 partive politike”, thuhet në projektvendim.

Partitë që do marrin pjesë në zgjedhje

Partia Komuniste e Shqipërisë
Sfida për Shqipërinë
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia Lista e Barabartë
Aleanca Popullore për Drejtësi
Partia Demokracia Sociale
Partia Aleanca Demokratike
Partia Kristian Demokrate
Lëvizja Socialiste për Integrim
Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
Partia për Drejtësi Integrim Unitet
Partia Social Demokrate
Partia Socialiste
Fryma e re Demokratike
Partia Aleanca Demokristiane

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat