Raundi i dytë, asnjë progres në negociatat Rama-Basha

Shqipëria

Raundi i dytë, asnjë progres në negociatat Rama-Basha

Më: 5 maj 2017 Në ora: 08:44
Takimi Rama-Basha tek Nishani

As dy takime te realizuar brenda 24 orëve nuk kanë dhënë fryte, pasi palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre të mëparshme. As në takimin e dytë, që u zhvillua mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ambientet e Presidencës, pas ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, nuk u gjet konsensusi, i cili do ti jepte fund ngërçit politik si dhe do ti hapte rrugë bojkotit të opozitës dhe marrjes pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Kreu i qeverisë Edi Rama, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi ka qenë i pari është futur në Presidencë. Rama e ka përshkuar në këmbë rrugën nga Kryeministria në Presidencë, ndërsa ka pritur semaforin sërish, ku ka takuar edhe disa qytetarë. Ndërsa kreu i opozitës ka preferuar të futet me makinë deri në oborrin e Presidencës. Bisedimet në Presidencë njësoj si në takimin e parë kanë zgjatur mbi dy orë dhe në përfundim të tij, si Basha dhe Rama kanë deklaruar se nuk ka pasur përparim.

Dështimi

I pari që ka lëshuar presidencën, ka qenë kryeministri Rama. Por ndryshe nga takimi i së mërkurës, këtë radhë ka folur për gazetarë, duke u munduar të sqarojë se çfarë u bisedua gjatë dy orëve, ku ka qartësuar dhe ofertën që i ka bërë opozitës, si dhe saktësoi se nuk ka pasur progres sa i përket negociatave.

“Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje! Oferta që unë i kam bërë Partisë Demokratike, është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve ku Partia Demokratike të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë me një zv.kryeministër që të propozohet nga PD dhe së bashku me tre përfaqësues të SHBA, BE dhe OSBE-së të drejtojë një Task-Forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Të ketë tre zv.ministra të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD që të vendosen në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të tre të jenë po ashtu të shoqëruar nga tre përfaqësues të komunitetit ndërkombëtarë në rolin e monitoruesve për çdo ankesë dhe akuzë lidhur me rolin e policisë, burgjeve dhe rolin e drejtorisë së burgjeve në këtë procesin zgjedhor dhe po ashtu në gjithë sektorin e arsimit për të garantuar çdo pretendim për intimidim të mësuesve dhe nxënësve të adresohet në kohë reale dhe të merren masa në kohë reale. Këtë gjë, unë në krye të opozitës nuk e kam pritur as në ëndrrën time më të bukur, por është diçka që duhet dhe adreson gjithë pikat e raporteve të OSBE. ODIHR, ku flitet për avantazhet e padrejta që krijon makineria shtetërore kundër opozitës”, u shpreh Rama.

Pyetjes së gazetarëve nëse oferta është pranuar nga opozita, kryeministri i është përgjigjur me pesimizëm.

“I takon kryetarit të Partisë Demokratike që të thotë nëse është pranuar oferta, por nga biseda që pata mund të them që jo. Marrëveshje nuk ka, por më shumë nga ana jonë marrëveshje nuk do të ketë”, tha Kryeministri. Më tej, Rama ka folur dhe për votimin numerik dhe për datën e shtyrjes së zgjedhjeve të vënë si kusht nga PD.

“Për sa i përket kërkesës këmbëngulëse të PD-së për numërim dhe votim elektronik, kam propozuar që një ministër i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e qeverisë për të përgatitur një projekt të besueshëm. Nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme. Për sa i përket datës së zgjedhjeve, data e zgjedhjeve është më 18. Jemi në limitet e fundit të kohës. Përpjekja për të bërë gjithçka që na takon si qeveri për të garantuar PD-në për aq sa na takojnë rregullat e lojës, nuk kanë shteruar. Dua ta përsëris se një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi”, tha Rama.

Mësohet se dy liderët do të kenë kohë deri të shtunën në darkë që shqyrtojnë propozimet e shtruara në dy raundet e para ku pritet të ketë një takim të tretë. Për arritjen e dy takimeve brenda dy ditëve, u angazhuar Kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Doul, dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn. Me insistimin e tyre u dakordësua tryezë e nivelit të lartë politik, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës me ndërmjetësimin e institucionit të Presidentit të Republikës. Dy javë më parë, Presidenti i Republikës kishte tentuar, pa sukses, të organizonte një tryezë politike mes kreut të LSI-së, Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Basha.

Basha pas takimit: Oferta e Ramës për PD-në ishte që të mos merr pjesë në zgjidhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimin që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama ka prezantuar dy propozimet që i ka bërë shefit të qeverisë. Duke folur për gazetarët pasi ka lënë ambientet e Presidencës, Basha është ndalur tek pikat kryesore ku konsistojnë kërkesat e opozitës, të cilat janë: qeveri teknike dhe votim dhe numërim elektronik brenda 6 muajsh. 

“Takimi i sotëm ishte për fat të keq një përsëritje e takimit të mërkurës. Rama erdhi në tryezë pa asnjë ofertë përveç mos ofertës të takimit të djeshëm i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të realizuar krizën e rëndë politike në vend si rezultat i gjendjes së rendit dhe sigurisë për shkak të krimit me pushtet dhe pushtetit të inkriminuar si rezultat i drogës dhe parave të drogës si rezultati i marshimit të administratës shtetërore si një marshim elektoral në funksion të PS dhe pushtetit. Kundër propozimi ynë ka qenë i qartë, përbëhet nga dy kolona. Kolona e parë është një qeveri teknike me mandat pikërisht për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e ardhshme, për ti dhënë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve që nga momenti i marrëveshjes politike të realizohet votimi elektronik biometrik dhe numërimin elektronik për të cilat ka munguar vullneti politik”, tha Basha. Në vijim të fjalës së tij, kryeopozitari nënvizoi po ashtu se 4 ministrat teknik të propozuar si ofertë nga kryeministri Rama dy javë më parë nuk jepnin asnjë garanci, përveçse plotësonin synimet e tij politike.

“Propozimet e ofruara të cilat më ishin bërë të ditura dy  javë më parë afër kryeministrit, pra me siguri propozime të lobuara nga kryeministri nuk ofronin zgjidhjen politike. 4 ministra teknikë të propozuar nga kryeministri me aprovimin e opozitës, në kushtet kur kryeministri ka akaparuar parti të tëra opozitare, deputetë të opozitës madje dhe deputetë të koalicioni të tij si manovra politike për të realizuar synimet e tij politike nuk ofrojnë asgjë, asnjë garanci”, tha ai.

Ndërsa sipas tij, oferta e kryeministrit Rama ishte ajo e dy ditëve më parë, të cilën ai i përkthen si një përgjigje për të mos marrë pjesë opozita në zgjedhje.

“Jemi në proces negociatash. S’dua t’i paraprij hamendësimeve që s’do na çojnë askund. Edi Rama mbetet te propozimi i djeshëm që është një mosofertë për zgjidhje dhe ky është shkaku se bisedimet e sotme janë në vend numëro. Prej ditës tonë të parë kemi parashtruar dialogun për zgjidhjen e krizës, sepse besojmë se zgjidhja me kosto për çdo shqiptar, duhet të vijë me një faturë sa më të vogël dhe kjo vjen përmes dialogut dhe zgjidhjes politike”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat