Si u përgjigj Basha për ofertën e re që i bëri Rama?

Shqipëria

Si u përgjigj Basha për ofertën e re që i bëri Rama?

Më: 4 maj 2017 Në ora: 09:01
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ne takim ne Presidence

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimi e djeshëm në Presidencë me kryedemokratin Lulzim Basha ka mbërritur me një ofertë të re për opozitën, e cila ndryshonte nga ajo që iu premtua opozitës nga presidenti i PPE-së, Joseph Daul, dhe që u negociua një javë më parë nga zëvendësi i PPE-së, McAllister.

Mësohet se Kryeministri Rama ka deklaruar në takim në prani të Presidentit Nishani se është i gatshëm të ofrojë postin e zv.kryeministrit teknik dhe emërimin e 4 ka zv.ministrave në postet kyçe ku demokratët kanë shprehur pretendime se mund të ketë përdorim të administratës në zgjedhje, shkruan “Panorama”.

 Gjithashtu, Rama ka deklaruar se opozitës do t’i krijohen mundësi për të monitoruar edhe institucionet e drejtorive arsimore, të burgjeve etj.

Burimet deklarojnë se pas këtij propozimi, ka reaguar kreu i opozitës, Basha, i cili ka theksuar se oferta e bërë nga Kryeministri Rama për opozitën bien nën nivelin e garancive që demokratëve iu dhanë nga McAllister, pak ditë më parë.

Në reagim të kësaj deklarate, Kryeministri i ka kujtuar Bashës se për aq kohë sa nuk pranon ofertat e maxhorancës, sa vijnë e do të jenë më të ulëta.

“Për aq kohë sa humbet kohën dhe nuk pranon një pakt për të shkuar në zgjedhje, ofertat që shumica jep do të jenë gjithnjë e më të ulëta”, mësohet të ketë deklaruar Rama.

Pas këtyre diskutimeve, palët janë ndarë pa një marrëveshje, ndërkohë që kreu i qeverisë është larguar nga Presidenca.

Pas largimit të Ramës, kreu i PD-së Basha ka vijuar të qëndrojë në Presidencë dhe, në prezencë të kreut të shtetit, Nishani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e PPE-së, Daul.

Në këtë bisedë telefonike, Basha ka informuar kreun e PPE-së me qëndrimet e mbajtura nga Kryeministri dhe me përpjekjet e opozitës për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës politike.

Gjatë takimit nuk është folur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Pavarësisht dështimit të këtij takimi, Presidenti i Republikës ka garantuar se po vazhdojnë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat