Ambasada amerikane përgëzon Presidentin e ri, Ilir Meta

Shqipëria

Ambasada amerikane përgëzon Presidentin e ri, Ilir Meta

Më: 29 prill 2017 Në ora: 08:05
Ilir Meta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mirëpresim bashkëpunimin në vijim me udhëheqësit shqiptarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi dhe për të krijuar mundësi për popullin shqiptar.

Zoti Meta u zgjodh në raundin e katërt, me 87 vota pro dhe vetëm 2 kundër. Në sallë mungonte opozita e cila ka bojkotuar parlamentin.

Kandidatura e zotit Meta, kryetar aktual i Parlamentit u propozua dje nga partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe mori mbështetjen e menjëhershme të aleatit të saj të madh, Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.

Zoti Meta do të bëjë betimin më 24 korrik, ditën kur mbaron dhe mandati i Presidentit aktual Bujar Nishani.

Në fjalën e tij të parë, menjëherë pas votimit, zoti Meta u shpreh se “do bëj çdo gjë në të gjitha cilësitë e mia për të justifikuar këtë besim, para gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara Kushtetutës, përpara interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e vendit”. Zoti Meta nuk la pa përmendur situatën politike në vend e cila sheh prej afër 70 ditësh opozitën e vendit në protestë, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike që do të garantonte sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. “Do t’u lutesha të gjithëve që janë këtu, por dhe atyre që mungojnë. Të përpiqemi në këto orë e këto ditë, që t’i japim jo thjesht gjithë partive, por çdo qytetari shqiptar, mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet më të lira, më të ndershme e më demokratike që vendi meriton”, theksoi zoti Meta.

Presidenti i zgjedhur, i mëshoi idesë për vazhdimin e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike, ndërsa kujtoi ngjarjet e dhunshme mbrëmë në parlamentin e Maqedonisë. “Ndaj dhe një herë dua t’u apeloj të gjithëve të bëjnë çdo gjë për stabilitetin e vendit, legjitimitetin e institucioneve, në mënyrë që të mos sakrifikojmë gjithë këto arritje shumë të mëdha që vendi ka arritur deri tani dhe ka realizuar dhe në këto 4 vite të këtij mandati qeverisës, pasi është një detyrë e përgjegjësi e secilit prej nesh, që të bëj gjithshka. Shpresoj e besoj se ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme”, nënvizoi zoti Meta.

Presidenti aktual, Bujar Nishani, “përmes një telefonate uroi zgjedhjen në postin e Presidentit të ri të Republikës, zotin Meta. Presidenti Nishani uroi gjithashtu Presidentin e zgjedhur për përmbushjen me sukses të detyrës së larte të Kreut të Shtetit”, njoftoi zyra e Presidentit Nishani.

Urime për zgjedhjen President i ri i vendit ju drejtuan zotit Meta dhe nga ambasada amerikane në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mirëpresim bashkëpunimin në vijim me udhëheqësit shqiptarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi dhe për të krijuar mundësi për popullin shqiptar”, thekson urimi I selisë diplomatike amerikane.

Zoti Meta, 48 vjeç, është ndër politikanët me një karrierë shumë të gjatë. Ai ka mbuluar pozicione të rëndësishme ndër vite duke qenë dy herë Zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa në vitin 1999 u bë kryeministër në moshën 30 vjeçare.

Në vitin 2004 së bashku me përfaqësuesë të tjerë socialistë, ai u shkëput nga kjo parti për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke arritur të jetë i vetmi që të imponohet në skenën politike të vendit, me një parti të re, falë lëvizjeve shpesh herë të guximshme.

Në vitin 2009 ai befasoi me vendimin për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike. Ndërsa pak muaj para zgjedhjeve të 2013, ai do të dilte nga qeveria, për t’u bashkuar në koalicion me socialistët, duke u rikthyer sërish në pushtet me ta, edhe më i fuqishëm se më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat