Të dërguarit e PPE dhe PE nesër në Tiranë, ja çfarë do negociohet me palët

Shqipëria

Të dërguarit e PPE dhe PE nesër në Tiranë, ja çfarë do negociohet me palët

Më: 24 prill 2017 Në ora: 14:23
Eurodeputeti Knut Fleckenstein

Zv.presidenti i PPE-së, David McAllister, dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein do të mbërrijnë në Tiranë të martën në mesditë me synimin për të zgjidhur ngërçin politik përmes një marrëveshjeje të dakordësuar mes Kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha.

Dy negociatorët do të mbërrijnë në Tiranë me konsensusin e dhënë nga maxhoranca dhe opozita për të qenë pikërisht ata që do të hartojnë një dokument, i cili pas negociatave të përbashkëta të synojë të marrë firmat e palëve. Burime të “Panorama” pranë organizatorëve të këtij takimi sqarojnë se dy negociatorët gjermanë, pas kontakteve të vazhdueshme të zhvilluara me përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës, kanë hartuar draftin që do të kenë në tryezën e dialogut. Të njëjtat burime kanë theksuar se dje në mbrëmje, drafti në mënyrë elektronike i është dërguar Kryeministrit Edi Rama, kreut të Kuvendit, Ilir Meta, dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. Ajo çfarë është më e rëndësishme në pikat e renditura për zgjidhjen e ngërçit politik nga dy negociatorët e PPEsë pritet të jetë zgjidhja që i është ofruar opozitës për kërkesën e saj të panegociueshme, që është qeveria teknike.

TAKIMI 

Kur pritej që Rama, Basha dhe Meta të uleshin në të njëjtën tryezë për të negociuar mes tyre zgjidhjen e ngërçit politik, formati i pranuar nga palët ka qenë i ndryshëm. Burime të “Panorama” bëjnë me dije se dy negociatorët gjermanë McAllister dhe Fleckenstein do të zhvillojnë takime të veçanta me palët. Përfaqësuesit e PPE-së dhe PE-së fillimisht do të ketë një takim pasditen e së martës me dy drejtuesit e koalicionit të majtë, Rama e Meta. Takimi mes dy negociatorëve dhe përfaqësuesve të maxhorancës do të zhvillohet në hollin e Pallatit të Kongreseve. 

Dy drejtuesve të maxhorancës do t’u paraqitet përpara i njëjti draft me të cilin ata janë njohur mbrëmjen e së dielës, me shpresën që ata të japin dakordësinë për lëshimet që do të duhet t’i bëjnë opozitës. Menjëherë pas takimit me Ramën e Metën, negociatorët e PPE-së do të takohen me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Oferta për të firmosur draftin e hartuar nga përfaqësuesit e europianë do t’i bëhet edhe kreut të PD-së. Nëse edhe Basha do të japë dakordësinë për draftin e hartuar, negociatorët europianë do të kërkojnë një tjetër takim të përbashkët mes tre aktorëve politikë për të zyrtarizuar marrëveshjen.

Por vendimi i opozitës për të zhvilluar një protestë në të gjithë vendin që bllokon rrugët mund të ndikojë në një takim më të shpejtë mes Bashës dhe zv.presidentit të PPE-së McAllister e eurodeputetit Fleckenstein. Sipas burimeve, kjo protestë mund të jetë arsyeja që dy negociatorët menjëherë pasi të mbërrijnë në Tiranë të zhvillojnë një takim urgjent në selinë blu me kreun e PD-së, Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat