Policia nuk jep leje për protestën e PD-së

Shqipëria

Policia nuk jep leje për protestën e PD-së

Më: 23 prill 2017 Në ora: 15:35
Altin Qato, drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike

Dy orë pas kërkesës së Partisë Demokratike për bllokimin, ditën e hënë, të 5 akseve në Tiranë, Elbasan, Milot dhe Lushnje, Policia e Shtetit refuzoi të japë lejen për këtë protestë.

“Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit, ose të moralit, ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit, ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit. Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik”, tha Altin Qato, drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike.

 “Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë”, tha Altin Qato.

Me këtë rast, Qato u shpreh se policia nuk do të tolerojë shkelësit e ligjit të tubimeve.

“Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të mos bien prè e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme, që cënojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm. Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve do të përballen me ligjin. Në përputhje me parashikimet e nenit 21 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 ‘Për tubimet’, Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallëzimet penale për ta”, tha më tej Qato.

Në emër të Policisë së Shtetit, Qato dha një mesazh jo vetëm për qytetarët që do të tubohen të hënën, por edhe për organizatorët.

“Kodi Penal, përkatësisht neni 262 dhe 274 të tij, sanksionojnë dënime të rënda deri me burgim për ata shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme dhe/ose prishin rendin dhe qetësinë publike. Organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mundet të vijnë. Do të jenë ata përgjegjësit ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik dhe/ose destabilizimit të tij. Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminalë me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet”, tha Altin Qato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat