Koordinatori i OKB-së në Shqipëri: Miratimi i Vettingut me rëndësi kritike

Shqipëria

Koordinatori i OKB-së në Shqipëri: Miratimi i Vettingut me rëndësi kritike

Më: 23 prill 2017 Në ora: 10:08
Brian Williams, koordinatori i Përhershëm i OKB-së

Brian Williams, koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, vlerëson rëndësinë e Reformës në Drejtësi në luftën kundër korrupsionit.

Për “Panorama”, Williams flet për projektet që UNDP po zhvillon me qeverinë shqiptare për rritjen e transparencës ndaj publikut, por edhe prioritetet në punën e këtij institucioni që lidhen me barazinë gjinore dhe betejën kundër diskriminimit racial të popullsisë rome dhe egjiptiane.

Këtë vit Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka filluar zbatimin e Programit të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm nëpërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara 2017-2021. 

Programi i Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm bazohet në programin e kaluar, pra, në thelb ka vazhdimësi, por njëkohësisht ka edhe disa aspekte të veçanta. E para ka të bëjë me Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, një axhendë globale 15-vjeçare e miratuar nga të gjithë liderët e botës në vitin 2015. Këto Objektiva janë në qendër të programit tonë të ri pesëvjeçar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Barazia gjinore është e integruar në të gjithë programin. Pra, pavarësisht nëse flasim për qeverisjen e mirë ose shtetin e së drejtës, nëse flasim për fuqizimin ekonomik, për aksesin në shërbime, apo nëse flasim për mjedisin, barazia gjinore është e integruar kudo.

Një tjetër aspekt i veçantë është fokusi mbi zbatimin e programeve dhe ndërhyrjeve në nivel bashkie. Në ciklin e fundit të programit, PNUD-i në veçanti i ka ofruar qeverisë asistencë lidhur me reformën territoriale, që në këndvështrimin tonë është një reformë shumë thelbësore dhe qeveria meriton mirënjohje për faktin se arriti ta realizonte atë në një kohë shumë të shkurtër. Por, në mënyrë që ajo të jetë efektive është e nevojshme që çdo veprim tashmë të ndërmerret në nivel bashkie. UNDP ka një program të vazhdueshëm në mbështetje të bashkive të reja, pra i gjithë diapazoni i programit tonë tashmë fokusohet realisht në atë ç’ka ndodh në nivel bashkie, duke përfshirë një funksionim më të mirë të administratës vendore, dhënie shërbimesh publike më eficiente dhe inovatore, dhe një demokraci vendore më efikase që përfshin publikun në vendimmarrje dhe e bën qeverinë vendore më të përgjegjshme dhe transparente. Dua të vendos theksin në veçanti në rëndësinë që kanë statistikat në nivel bashkie. Shumë nga strukturat janë të ndërtuara rreth nivelit të “qarkut”, por është e nevojshme që të punojmë për ta zbritur në nivel bashkie për arsye se përgjegjshmëria demokratike është në nivel bashkie. Kryetari i bashkisë zgjidhet nga njerëzit, ashtu si edhe Këshilli Bashkiak. Për rrjedhojë, të dhënat dhe statistikat duhet të mblidhen në nivel bashkie sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund t’i kërkojnë qeverisë vendore të mbajë përgjegjësi. Kështu që OZHQ-të dhe fokusi në nivel bashkie përbëjnë një ndryshim të konsiderueshëm nga programi i mëparshëm. Në ciklin e fundit pesëvjeçar është bërë një progres i madh për sa i përket përpilimit të legjislacionit, planeve të veprimit si p.sh. drafti i ri i ligjit “Për strehimin social”. Para dy javësh u miratua Kodi i ri i Drejtësisë për të Miturit. Më herët këtë vit u miratua ligji “Për mbrojtjen e fëmijëve”, ndryshimet në Mbrojtjen Sociale, Plani i Veprimit për Romët.

Si po e ndihmon OKB-ja Shqipërinë në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ato kanë dhe një kosto të lartë financiare. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që t’i arrijë këto Objektiva?

Sigurisht që për të realizuar Axhendën 2030 nevojiten burime financiare. Qeverisë shqiptare nuk i mungojnë burimet, prandaj ne rekomandojmë rritjen e shpenzimeve në disa prej sektorëve socialë. Kjo është e rëndësishme si për shëndetësinë, ashtu edhe për arsimin, sektorë për të cilët qeveria ka alokuar aktualisht 3% të PBB-së. Ndërkohë, ne rekomandojmë që qeveria të përafrohet me standardet e OECD-së. Vendi ka hyrë në rrugën drejt Bashkimin Europian dhe vendet e OECD-së shpenzojnë mesatarisht 6% të PBBsë së tyre për shëndetësinë dhe arsimin. OZHQ-të nuk do të jenë një program në vetvete. Qeveria ka Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe nuk kemi të bëjmë me krijimin e një strukture krejtësisht të re burokratike. Ndoshta do të lindë nevoja për disa përshtatje. Një pjesë e madhe e investimeve për zhvillim vijnë nga huat nga bankat e mëdha për zhvillim dhe shumë prej tyre janë përqendruar tek infrastruktura. Pa dyshim që infrastruktura është e rëndë- sishme, por ne shpresojmë që procesi i OZHQ-ve do të na nxisë të gjithëve të hedhim një vështrim te sasia e investimeve që vijnë nga bankat për zhvillim dhe t’i drejtojmë ato pak më shumë drejt këtyre çështjeve, qofshin këto në lidhje me mjedisin, barazinë gjinore apo disa nga sektorët e shërbimeve sociale, në mënyrë që të garantohet realizimi i OZHQve. Nga ana tjetër, do të nevojiten koalicione të zgjeruara mbi OZHQ-të me sektorin privat, shoqërinë civile, parlamentet dhe grupe të tjera interesi.

Ne e dimë të gjithë që romët përballen me sfida të mëdha dhe jetojnë në kufijtë e tejskajshëm të shoqërisë. Cila është mbështetja juaj në këtë fushë? A mund të na jepni disa rezultate konkrete.

Kombet e Bashkuara, ashtu si dhe të tjerë, e kanë vënë theksin te çështjet e romëve dhe egjiptianëve. Do të doja të theksoja që një nga pesë prioritetet kyçe të Bashkimit Europian janë të drejtat e njeriut dhe një pjesë e rëndësishme e këtij prioriteti ka të bëjë me garantimin e respektimit të të drejtave të çdo njeriu, duke përfshirë romët apo egjiptianët. Pa dyshim, OZH-10 për pabarazinë lidhet shumë me çështjen e komunitetit rom. Programet tona dhe plani i veprimit i qeverisë kanë dhënë efektet e veta. Për shembull në vitin 2016 ka pasur një dyfishim të numrit të fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe arsimin e detyrueshëm, nga afërsisht 5000 në afërsisht 11000. Siç mund të shihet, ndryshimi është i madh. Programi i PNUD-it ka nxitur vazhdimisht punësimin. 146 romë janë përfshirë në mënyra të ndryshme në programe orientimi dhe trajnimi, si dhe janë punësuar. Në këtë drejtim ka ndihmuar edhe sektori privat me anë të bashkëfinancimit të kontributeve të punësimit të romëve. Kështu që, sa i përket punësimit, kemi bërë progres. Në katër qytetet ku është përqendruar aktualisht programi ynë, përkatësisht në Shkodër, Durrës, Tiranë dhe Berat, ofrohen shërbime në komunitet. Pra, ka programe këshillimi për familjet në mënyrë që ato të marrin më tepër mbështetje për sa i përket mënyrës së aksesit në programe. Në secilin prej këtyre katër qyteteve do të ketë mbështetje për projekte infrastrukturore. Fatkeqësisht, ka ende shumë diskriminim në shoqëri dhe ky është një realitet. Për shembull, shumë shpesh romët i sheh ende tek ulen në fund të autobusit. Mendoj se është e domosdoshme të vazhdojmë përpjekjet në këtë fushë. P.sh. do të na pëlqente të kishte një rritje të punësimit të romëve në administratën publike. Për rrjedhojë, ka ende shumë vend për përmirësim.

Në Shqipëri korrupsioni mbetet problem. Si po e ndihmoni Shqipërinë në këtë kuadër?

Sigurisht që korrupsioni është pa dyshim një problematikë kyçe në këtë vend. Më lejoni të jem i qartë. Unë mendoj se Reforma në Drejtësi që u miratua vitin e kaluar është një reformë thelbësore, ndoshta më e rëndësishmja. Si pasojë, hapat e mëtejshme të nevojshme për zbatimin e kësaj reforme, duke përfshirë ligjin e vetingut, janë thellësisht kritike. Mendoj se nuk është e vetmja reformë e rëndësishme për sa i përket korrupsionit, pasi qytetarët përballen me strukturat e shtetit kur shkojnë te mjeku, në shkollë apo kur u duhet një certifikatë nga bashkia. Kështu që, qeveria ka shumë mundësi për të fituar besimin e qytetarëve, duke ofruar shërbime në mënyrë më efikase, më të ndershme dhe të drejtë. Reforma në Drejtësi është ajo që i përmbledh gjithë të tjerat. Ajo është në themel të të gjitha reformave të tjera. PNUD dhe Agjencitë e tjera të Kombet e Bashkuara po punojnë për këtë në drejtime të ndryshme. Ne kemi mbështetur Ministrinë e Shtetit për Çështjet Vendore dhe koordinatorin Kundër Korrupsionit, për krijimin e një portali online në mënyrë që qytetarët të mund të paraqesin ankesa. Me ministren Harito, PNUD-i është i angazhuar aktualisht me reformën në administratën publike në nivel qendror. Kemi mbështetur qendrat e reja të shërbimeve. Jav- ën e kaluar isha në një qendër që u hap në Krujë. Më përpara ishte një qendër tjetër në Kavajë. Ka edhe një qendër shumë të mirë këtu në Tiranë. Mendoj se këto qendra u provojnë qytetarëve, që ndoshta për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qeveria po përpiqet të krijojë shërbime në dispozicion të tyre. PNUD-i bën çdo vit një anketim “Besimi në qeveri” dhe në fakt, ai dëshmon nivele të ulëta besimi te qeveria në çdo aspekt. Mendoj se është e domosdoshme që qeveria ta marrë këtë informacion, me transparencë, ta analizojë dhe të thotë se duhet bërë më shumë për t’i bindur qytetarët se po krijojmë e përmirësojnë shërbimet për ta. Një shembull është mbështetja e qeverisë në prezantimin e qendrave me një ndalesë (one-stop shop) në versionin e ri të projektit të reformës territoriale. Pra, janë qendra të ngjashme me këto por në nivel të qeverive vendore, ku qytetarët mund të paraqiten me një kartë identiteti dhe të marrin shërbime. Qytetarët mund ta ndjekin online ecurinë e një shërbimi të caktuar. Sportelet pritëse dhe zyrat mbështetëse janë të ndara, në mënyrë që personi me të cilin komunikoni të mos jetë i njëjti me atë që merr vendime. Kështu, ulen mundësitë për t’u ndikuar dhe për korrupsion. Sigurisht, krijimi i sistemeve përbën një çështje kritike. Objektivi OZHQ nr.16 lidhet me shtetin e së drejtës dhe institucione përgjegjëse. Mendoj se çështja thelbësore është krijimi i besimit tek institucionet dhe mendoj që deri më tani institucionet nuk e kanë këtë besim, kështu që u duhet ta fitojnë. Qytetarët janë shumë skeptikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat