Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme nisjen e hetimeve mbi deklaratat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për fakte lidhur me vendndodhjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në rrethinat e Durrësit dhe Lezhës.
Përmes një deklarate për mediat, ministri Xhafaj bën të ditur se i është drejtuar sot Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës duke kërkuar që organi i prokurorisë të fillojë kryesisht hetimin, si dhe të nis sa më shpejt verifikimin e fakteve të pretenduara.
“Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme përmes një shkrese zyrtare i jam drejtuar sot Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës duke kërkuar që organi i prokurorisë të fillojë kryesisht hetimin, si dhe të nis sa më shpejt verifikimin e fakteve të pretenduara”, citohet deklarata.
Menjëherë me bërjen publike të deklaratave publike të Bashës, Xhafaj thotë se i ka kërkuar Policisë së Shtetit, ndërmarrjen e veprimeve konkrete si dhe kryerjen e një operacioni të gjerë në terren në zonat e përmendura për depozitim të lëndës narkotike.”Operacioni është zhvilluar gjatës gjithë natës dhe ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Nga rezultatet e deritanishme nuk konfirmohen deklarimet e z.Basha. Operacioni po vijon edhe në këto momente”, thuhet në deklaratën e ministrit Xhafaj.
Xhafaj i përgjigjet edhe akuzave të Bashës për dijeni për ekzistencën e magazinave. “Në deklarimet e tij Basha, pretendon edhe dijeninë time si Ministër i Brendshëm lidhur me ekzistencën e magazinave të lëndëve narkotike në këto zona dhe personat nga radhët e policisë që i mbrojnë ato. Unë distancohem prerë nga këto insinuata të rreme ndaj personit tim. Unë kam marr përsipër të gjithë përgjegjësinë ligjore për të përmbushur detyrën sipas ligjit, duke shprehur gatishmërinë nëse është e nevojshme edhe për të dhënë deklarimet sipas ligjit procedural penal”, shprehet ai.
Më tej, ministri Xhafaj duke bërë të ditur se policia ka intensifikuar kontrollet si dhe ndëshkimin në çdo rast kur konstatohet mosveprim apo mospërmbushje e detyrave funksionale nga punonjësit e Policisë së Shtetit ka shtuar thotë se rezultatet e arritura deri tani japin garanci të plotë se kjo betejë do të jetë e suksesshme.
Xhafaj i bën thirrje kreut të PD-së, Basha dhe kujtdo tjetër që ka të dhëna të vlefshme, që ka dijeni për prova, fakte ose rrethana për vepra të tilla kriminale t’i paraqesin ato në Prokurori si organi kushtetues, përgjegjës për hetimin e veprave penale. “Ky është një detyrim për çdo qytetar të këtij vendi dhe për më tepër një përgjegjësi kushtetuese e ligjore për çdo zyrtar dhe politikan të përgjegjshëm ndaj interesave të vendit”, kujton Xhafaj.
Por, ai nënvizon se përbaltjet e qëllimshme ndaj punës së njerëzve të ndershëm në radhët e Policisë së Shtetit, deklarimet e papërgjegjshme që synojnë të shmangin angazhimin e saj nga përballja me objektivat reale të luftës kundër krimit krijojnë kosto financiare, fizike e morale për Policinë e Shtetit dhe nuk i shërbejnë stabilitetit të vendit.