Vizita - Kërkesat për McCain, nga reforma në drejtësi deri tek qeveria teknike

Shqipëria

Vizita - Kërkesat për McCain, nga reforma në drejtësi deri tek qeveria teknike

Më: 14 prill 2017 Në ora: 23:28
Senatori amerikan John McCain përshendetet me Komandot shqiptare

Senatori amerikan John McCain ka vizituar Tiranën në kuadër të turit zyrtar disaditor të nisur në rajonin e Ballkanit. Kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan pati një sërë takimesh me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe të opozitës, ku u njohë me situatën politike dhe shqetësimet thelbësore të ngritura prej palëve.

Reforma në drejtësi, lufta kundër ISIS si dhe partneriteti ushtarak SHBA-Shqipëri në kuadër të forcave të NATO-s, ishin tre pikat e takimit në Tiranë të senatorit amerikan John McCain.

Në një njoftim në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane thuhet se gjatë vizitës disa orëshe në Tiranë, McCain theksoi se i duhet dhënë rëndësi reformës në drejtësi si edhe përpjekjeve për të luftuar terrorizmin.

Image

Senatori amerikan u prit nga presidenti Nishani, ku në rolin e kryetarit të Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, bashkëbisedoi rreth kontributit të Shqipërisë  për të përmbushur përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

MecCain i shoqëruar nga Ambasadori amerikan Donald Lu është takuar dhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Biseda u përqendrua tek partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, tek situata politike në vend si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, se politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.

Image

Me këtë rast kreu i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe proçesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, ndërsa ishin të një mendje se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen në Evropën Juglindore.

Mbështetjen e zyrtarit të lartë amerikan për reformat në Shqipëri e ka konfirmuar dhe Kryeministri  Rama në twitter.

“120 minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet”.

Gjithashtu, Edi Rama, takimin që pati me senatorin MecCain e ka shfrytëzuar për t’i dhuruar një ekzemplar të rrallë, mbi aeroplanët dhe helikopterët armiq të Shqipërisë, siç thotë vet ai, botim i vitit 1977 shtypur nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, për përdorim sekret nga kuadro të lartë të ushtrisë, në Tiranë.

Në brendësi të faqes 29 shfaqet avioni A-7E CORSAIR II, të cilin e ka pilotuar senatori John McCain, gjatë karrierës së tij në Marinën amerikane.

Përmes një Amacordi, Kryeministri shkruan se dhuroi librin duke medituar fjalët që ky mik i madh shqiptoi në Kosovë sesa absurde do kishte qenë që miqtë e sotshëm të ishin vrarë dje mes njëri-tjetrit.

Image

Senatori McCain zhvilloi një takim edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha ku ky i fundit i shprehu shqetësimin për gjendjen e sigurisë së vendit për shkak të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në Parlament, Bashki dhe funksione të larta publike në kundërshtim dhe shkelje të ligjit për dekriminalizimin.

Zgjedhjet e 18 qershorit ishin të pashmangshme në diskutim,  ku Lulzim Basha vlerësoi se vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike do të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lexo edhe këto

Nishani: Krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të SHBA

Takimi Rama-McCain/ Zbulohet dhurata që i bëri Kryeministri senatorit amerikan

Ambasada amerikane zbardh vizitën e McCain në Tiranë: U diskutua për drejtësinë dhe ISIS

Meta: SHBA duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Juglindore

Pas takimit - Basha: McCain, mik i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat