McCain në Shqipëri, pritet në Rinas nga ministrja Mimi Kodheli

Shqipëria

McCain në Shqipëri, pritet në Rinas nga ministrja Mimi Kodheli

Më: 14 prill 2017 Në ora: 15:41
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli me kryetarin e Komisionit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura, John McCain

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka pritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, kryetarin e Komisionit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura, John McCain, i cili nis këtë të premte një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Gjatë qëndrimit në aeroport, ku ishte i pranishëm dhe personale ushtarak, ministrja Kodheli e njohu McCain me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe operacionet paqeruajtëse. 

Ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.

Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.

“Bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes, e rikonfirmuam edhe një herë sot me senatorin John McCain, gjatë vizitës së tij në vendin tonë. mShqipëria mbetet e angazhuar në operacionet paqeruajtëse dhe ato kundër terrorizmit, përkrah SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë të NATO-s”, u shpreh ministrja Kodheli. 

Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane.

Vizita e zyrtarit amerikan në Tiranë vjen në një kohë krize politike për shkak të protestës dhe bojkotit të opozitës.

McCain vjen në Tiranë në kuadër të një turi në Ballkan dhe do të takohet me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e parlamentit Ilir Meta, kreun e opozitës Lulzim Basha, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat