Rama fton sërish Bashën: Informacioni për atentat, kontradiktor

Shqipëria

Rama fton sërish Bashën: Informacioni për atentat, kontradiktor

Më: 14 prill 2017 Në ora: 12:10
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp të premten për t’i bërë thirrje kreut të opozitës që të ulen në një tryezë dialogu.

“Në situatën surreale që ka krijuar Partia Demokratike, po ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri.

Është opozita zyrtare dhe jo qeveria ajo që refuzon dialogun.

Shqipëria ka kaluar kriza politike reale, edhe të rënda, të gjitha me një arsye të fortë ose shumë të fortë, por kurrë ky vend nuk e ka parë kurrë një krizë të tillë artificiale ku populli nuk është fare pjesë.

Krizën e prodhon një elitë e korruptuar politikanësh, gjykatësisht dhe analistësh.

Edhe në krizat më të rëndat, ka qenë opozita që ka kërkuar dialog dhe qeveria që e ka shmangur derisa gjërat kanë shkuar deri në ekstrem, kur komuniteti ndërkombëtar ka ndërhyrë me forcë.

Por kurrë nuk ka ndodhur si sot, kur opozita po saboton çdo përpjekje të qeverisë për dialog.

Unë e kam shprehur gatishmërinë për dialog që në ditën e parë të qeverisjes sonë.

E kam nxitur dialogun në çdo instancë,” tha Rama.

“Sot unë jam përsëri për dialog, që të ulemi në tryezë pa kushte për dialog me median apo pa median, sipas dëshirës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike.

Nisma vullnetmirë e Nishanit nuk po e bind Bashën,” theksoi kreu i qeverisë.

“Jam i trishtuar nga ajo që më dëgjojnë veshët për këtë pozicionim të pakuptueshëm të Partisë Demokratike nga partnerët tanë, pasi po rrezikohet hapja e negociatave nga bllokimi i vetingut. Një parti e madhe shqiptare është bërë qesharake në sytë e botës. Kjo krizë artificiale krijon një perceptim negativ për Shqipërinë. Ajo nxit paligjshmërinë dhe kriminalitetin.

Dialogu mbetet një domosdoshmëri. Ndaj i bëjmë publikisht thirrje arsyes së Lulzim Bashës: Mos ki frikë nga dialogu”.

Sipas Ramës, situata aktuale “frymëzon forca që nuk ia duan të mirën Shqipërisë”.

“Ti e ke numrin tim të telefonit Lulzim, ndaje mendjen dhe më njofto një orë e më parë.

Zgjedhjet nuk ke për t’i ndaluar dot kurrë, këtë qeveri nuk ke për ta rrëzuar dot kurrë, nëse populli nuk e rrëzon me votë në qershor”, tha Rama.

Duke komentuar pyetjen për çështjen e një lajmi për atentat të mundshëm ndaj kreut të opozitës, Rama tha: “Nuk ka asnjë skenar, ka pasur një informacion. Ekspertiza sugjeron se informacioni nuk është shumë i besueshëm dhe informacioni kontradiktor. Por janë marrë të gjitha masat sikur gjithçka të jetë e vërtetë. Siguria e tij është një prioritet numër një. Ju siguroj se kryetari i PD është më i mbrojtur se asnjëherë. Do jetë tërësisht i mbrojtur deri në fund me gjithçka që shteti ka për detyrë”.

I pyetur nëse do të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, Rama tha: “Partnerëve nuk u kërkoj ndihmë pasi besoj se i zgjidhim vetë gjërat, por ndihma e tyre është gjithmonë e mirëpritur. Ata janë në pozitë të vështirë, pasi po pengohen në përpjekjen për të dhënë ndihmën e tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat