PD përshëndet sulmin e SHBA-ve në Siri: Shpresë e një rendi demokratik botëror

Shqipëria

PD përshëndet sulmin e SHBA-ve në Siri: Shpresë e një rendi demokratik botëror

Më: 7 prill 2017 Në ora: 15:07
Lulzim Basha

Përmes një deklarate për mediat PD ka përshëndetur sulmin e SHBA ndaj një baze ushtarake në Siri.

Selia blu thotë se “Përgjigja amerikane është edhe një shpresë e rindezur se rendi demokratik botëror në mbrojtje të jetës dhe të drejtave e lirive të njeriut ka garant vendin më të fuqishëm dhe demokratik të globit, SHBA”.

Ofensiva e SHBA-ve në Siri vjen pas sulmit kimik të disa ditëve më parë, ku humbën jetën dhjetëra persona, mes tyre edhe fëmijë.

Deklarata e plotë

Presidenti Trump urdhëroi sot në orët e para të mëngjesit goditjen me 59 raketa tomahok të bazës ushtarake në Siri, prej ku u lëshuan pak ditë më parë bombat me gaz helmues që shkaktuan vdekjen e dhjetëra civilëve mes tyre dhe shumë fëmijë.

Përveçse një operacion me efektivitet të lartë ushtarak, kjo është një përgjigje e drejtpërdrejt ndaj një diktatori i cili nuk kursen jetë civilësh të pafajshëm për t’i shërbyer pushtetit të tij.

Përgjigja amerikane është edhe një shpresë e rindezur se rendi demokratik botëror në mbrojtje të jetës dhe të drejtave e lirive të njeriut ka garant vendin më të fuqishëm dhe demokratik të globit, SHBA. Urdhri i presidentit Trump është një konfirmim i lidershipit moral të padiskutueshëm të SHBA në zhvillimet ndërkombëtare.

Partia Demokratike përshëndet këtë akt të jashtëzakonshëm në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor dhe ndihet krenare për partneritetin unik strategjik me SHBA dhe Presidentin Trump. Partia Demokratike do të jetë përherë në krah të SHBA dhe nesër në qeverisjen e vendit do ta ngrejë këtë partneritet në nivelet më të larta historike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat