Veliaj: Tirana ka nevojë për punë, nuk ndryshon me çadra

Shqipëria

Veliaj: Tirana ka nevojë për punë, nuk ndryshon me çadra

Më: 5 prill 2017 Në ora: 13:37
Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kujdesi social dhe përmirësimi i infrastrukturës kanë qënë fokusi i një sërë vendimesh të rëndësishme që diskutoi këshilli bashkiak i Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se qytetarët e kanë të qartë se kush është i fokusuar te puna dhe kush ka zgjedhur të merret me fjalë.

“Besoj se si kurrë më parë, gjatë kësaj kohe është bërë e qartë se në këtë qytet ka dy palë, njëra që punon dhe tjetra që ka zgjedhur të merret me fjalë. Por në fund janë qytetarët ata që bëjnë dallimin dhe nuk kam asnjë lloj dyshimi se këtë dallim do ta bëjnë nisur nga punët e jo nga fjalët”, tha Veliaj.

Pasi përmendi një sërë punësh të bashkisë vetëm këto kohët e fundit, Veliaj tha se Tirana sot  ka nevojë për shumë punë për t’u kthyer në qytetin që duam të gjithë, të majtë e të djathtë. Veliaj deklaroi se Tirana nuk ka për të ndryshuar as me fjalë, as me sharje, as me kërcënime e as me çadra. 

“Ky qytet kërkon punë dhe pret që ne të punojmë. Prandaj, ftesa ime për të gjithë është që të bashkojmë forcat, të bashkëpunojmë dhe të mos harrojmë për asnjë moment që qytetarët e Tiranës dinë të gjykojnë e të shohin përtej retorikës e deklaratave prandaj të paktën në këtë këshill le të mos humbasim kohë kot me beteja politike që as nuk ndërtojnë shkolla, as nuk mbjellin pemë, as nuk hapin kantiere të reja e as sjellin ndonjë përfitim për qytetarët që na kanë votuar”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat