Skenarët për ndryshimin e qeverisë dhe shtyrjen e zgjedhjeve

Shqipëria

Skenarët për ndryshimin e qeverisë dhe shtyrjen e zgjedhjeve

Më: 5 prill 2017 Në ora: 07:57
Ilir Meta dhe Edi Rama

Të paktën për 22 orë u krijuar përshtypja se projekti i kreut demokrat u shpartallua. Por ka mjaftuar një deklaratë për media e kreut të parlamentit Ilir Meta për të ringjallur shpresat e PD-së dhe për të kthyer situatën në pikën zero, duke i dhënë shpresë kauzës për krijimin e një qeveri teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo ka hapur sërish diskutimin nëse mund të shtyhen zgjedhjet ose jo.

“Shtyrja e datës së zgjedhjeve është plotësisht e mundshme”. Kështu arsyeton ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume në një intervistë për “Shekullin”, i cili thotë se hapësirat në Ligjin Zgjedhor lejojnë që data e zgjedhjeve sipas parashikimeve aktuale të shtyhen vetëm me një javë, por nuk është e pamundur. Sipas Kumes kjo mund të bëhet përmes një ndërhyrjeje në Kodin Zgjedhor. Opsioni tjetër është të ndryshohet Kushtetuta e Republikës. Nëse palët mund të bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, ish-kryetari i KQZ thotë se ato mund të mbahen në fund të korrikut ose në një datë të mëvonshme në shtator. “Nëse synojmë të evitojmë precipitimin e situatës duhet urgjentisht që palët të ulen në tavolinë. Është e domosdoshme ulja në tavolinë nëse kërkojnë që ta zgjidhin ngërçin duke ndërhyrë në kodin zgjedhor, kjo duhet bërë një orë e më parë”, thotë Kume. Ndërkohë, qëndrimet e Ramës se PSja mund të futet e vetme në zgjedhje, Kume i konsideron si të papranueshme dhe larg një vizioni që e çon Shqipërinë përpara drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Është komentuar këto ditë dhe varianti i krijimi të qeverisë teknike. Nga ana ligjore si arrihet kjo? 

Paraprakisht duhen të sigurohen firmat e 71 deputetëve dhe më pas të bëhet kërkesa për mocion mos besimi për kryeministrin ose për qeverinë. Kjo kërkesë dërgohet në Kuvend dhe hidhet në votim në Parlament.

Krahas qeverisë teknike, PD-së ka kërkuar dhe shtyrjen e zgjedhjeve. A mund të arrihet kjo nga ana ligjore?

Sipas kushtetutës, mandati i Parlamentit aktual përfundon me datën 9 shtator. Kushtetuta detyron 6 muaj para mbarimit të mandatit, Presidentin e Republikës të dekretojë datën e zgjedhjeve. Presidenti ka dekretuar 18 qershorin, në zbatim: së pari, sipas kërkesës kushtetuese, e cila cakton se zgjedhjet për Kuvendin duhet të zhvillohen në periudhën zgjedhore që paraprin përfundimin e mandatit. Kodi i Republikës së Shqipërisë përcakton dy periudha zgjedhore. Periudhën e parë që fillon me 15 mars dhe mbaron 30 qershor dhe e dyta fillon me 15 shtator dhe mbaron me 30 nëntor. në këto kushte presidenti i Republikës dekretoi 18 qershorin sepse kjo është periudha që i paraprin përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual. Këto dy kërkesa ligjore kanë hapësirë për të ndryshuar ditën e zgjedhjeve vetëm me një javë pra nga 18 qershori të bëhen 25 qershor. Nëqoftëse do të këmbëngulet që zgjedhjet të shtyhen kjo mund të bëhet vetëm duke ndërhyrë në ligjin aktual ose në kushtetutën e republikës ose në kodin zgjedhor, më e lehtë është të ndërhyhet në kodin zgjedhor në procedurat që përcaktojnë kohën zgjedhore. Kjo është e mundshme dhe për më tepër ka dhe logjikë që të realizohet nëse bëhen këto ndryshime. Zgjatja e periudhës zgjedhore deri në fund të gushtit.

Por duke qenë se zgjedhjet nuk zhvillohen si rregull në gusht asnjëherë, jo pse është periudhë pushime për ne, por duke qenë se ne si shoqëri kemi rënë dakord që zgjedhjet në Shqipëri të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë, këta të fundit në gusht janë me pushime. Në këtë situatë, e pranueshme është që nëpërmjet ndryshimit të kodit zgjedhor, të shtyhen zgjedhjet deri në fund të korrikut. Nëse i referohemi kërkesës që është artikuluar, për ndryshimin e qeverisë, pra për të pasur një qeveri teknike, ose siç u shpreh kryetari i parlamentit, një “qeveri të besimit”. Nga ana tjetër, opozita ka theksuar se nuk mjafton të kemi vetëm një qeveri, por kësaj qeverie duhet t'i japim kohën e mjaftueshme, të cilat ajo do të krijohet si e tillë. Po ashtu zoti Basha ka kërkuar që kjo qeveri të ketë një afat prej 100 ditësh që të përgatisë kushtet për të shkuar më pas në zgjedhje.

A ka sens kjo kërkesë? 

Nëse në Kodin Zgjedhor ndryshohet periudha e zgjedhjeve, pra shtyhet deri në fund të korrikut dhe krijohet qeveria teknike, ka kohë për tu plotësuar të dyja kushtet që thashë më lartë, nëse marrëveshja arrihet që tani. Nëse problemi nuk zgjidhet politikisht në tavolinë me këtë kuadër ligjor nuk ka asnjë mundësi që të realizohen zgjedhje të lira, por vetëm një farsë zgjedhore. Mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën dhe së fundi dhe pa LSI-në, pasi deklaroi se nuk shkon në zgjedhje në këto kushte, apriori çdo njeri nga ne ka të drejtë të thotë se nëse mbahen zgjedhjet me 18 qershor, gjithçka mund të kemi por vetëm proces zgjedhor jo, as produkt zgjedhor dhe janë shanset shumë të mëdha që pas saj Shqipëria të përballet me situata jashtëzakonisht të paparashikueshme, gjë të cilën asnjë nuk do ta dëshironte. Nëse synojmë të evitojmë precipitimin e situatës duhet urgjentisht që palët të ulen në tavolinë. Është e domosdoshme ulja në tavolinë nëse kërkojnë që ta zgjidhin ngërçin duke ndërhyrë në kodin zgjedhor, kjo duhet bërë një orë e më parë.

Në këtë klimë a mund të mbahen zgjedhje? 

Ka dhe pak kohë ku politikanët mund të bëjnë politikën e ditës. Ka mbetur dhe pak ditë dhe ata do të detyrohen nga të huajt për të gjetur zgjidhjen e pranueshme që të mos kemi një farsë zgjedhore.

Intervista

A është e pranueshme që 27 vite pas ardhjes së pluralizmit në Shqipëri kryeministri kërkon që të bëhen zgjedhje pa opozitën? Kjo deklaratë e shprehur nga kryeministri është bërë për ti përgjigjur lojës politike që bëhet rëndom në skenën politike. Ky nuk mund të jetë një qëndrim vizionar që i duhet politikës shqiptare. Një qëndrim i tillë kushdo e kupton që është i papranueshëm për një vend si Shqipëria që prosperon të bëjë hapa para në demokratizimin e jetës politike. Ç’kuptim ka që në zgjedhje të marrin pjesë as 25 për qind e shqiptarëve dhe nesër të dalë një qeveri që të marrë 99 për qind të votave. Kjo logjikë është shumë larg asaj që ne kemi menduar të ndërtojmë si shtet këto 27 vite. Kjo nuk është zgjidhje që mund t'i shërbejë as vendit dhe as PS-së. Nëse partitë politike do ta kërkojnë zgjidhjen duke mos ndërhyrë në kodin zgjedhor por nga ana tjetër kërkojnë kohë që të zhvillohen zgjedhje, kjo pastaj bëhet duke ndërhyrë në kushtetutë.

Ndërhyrjet në kushtetutë mund të bëhet në dy mënyra: mundet që në kushtetutë të vendoset një dispozitë e përkohshme dhe tashmë e kemi precedentin që janë vendosur dispozita si ai i reformës në gjyqësor. Me anë të kësaj dispozite mund të bëhet që mandati i këtij Kuvendi të mos përfundojë në datën 9 shtator por më vonë se sa kaq. Data mund të vendoset nga partitë politike. Pra zgjedhjet mund të bëhet pas nëntorit. Varianti i dytë që mund të trajtohet nëse mund të ndërhyhet në kushtetutë për t'i dhënë kohë qeverisë që do të ngrihet për të organizuar zgjedhjet është; zgjatja e mandatit të deputetëve. Në kushtetutë është e përcaktuar që mandati është katërvjeçar dhe mund të bëhet pesëvjeçar siç është Parlamenti i Evropës. E gjitha kjo do të kërkonte një varg ndryshimesh të tjera kushtetuese. palët duhet të ulen në tavolinë për gjetur zgjidhje për të realizuar zgjedhjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat