Basha takon kryeministrin hungarez: Zgjedhjet kërcënohen nga paratë e drogës

Shqipëria

Basha takon kryeministrin hungarez: Zgjedhjet kërcënohen nga paratë e drogës

Më: 29 mars 2017 Në ora: 12:57
Lulzim Basha e Viktor Orban

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, takim i zhvilluar në Maltë gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e Partive Popullore Evropiane.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, Basha dhe Orban diskutuan për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kërcënimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare.

“Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është e lidhur pazgjidhshmërisht me integrimin evropian të Shqipërisë”, theksoi kryeopozitari Basha teksa e informoi Orban mbi rrugëzgjidhjen përmes qeverisë teknike që do të zbatojë dekriminalizimin, luftojë drogën dhe paratë e pista dhe të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga ana e tij, sipas PD-së, Orban deklaroi se Partia simotër FIDESZ i jep mbështetje të plotë aksionit të opozitës që synon garantimin e votës së lirë e të ndershme në vend, shkruan Ora News.

Kryetari i Partisë Demokratike po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partive Popullore Evropiane në Maltë, ku pritet të mbajë edhe fjalën në seancën plenare dhe të ketë takime të veçanta me liderë evropianë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat