“Bomba” e ish-ministrit Sabit Brokaj: Do arrestohen “peshq” të mëdhenj

Shqipëria

“Bomba” e ish-ministrit Sabit Brokaj: Do arrestohen “peshq” të mëdhenj

Më: 28 mars 2017 Në ora: 10:13
Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj

Reforma në drejtësi po zvarritet pa fund.

Kuvendi rihapi garën për vetingun, si dhe për KLGJ e KLD, duke bërë që procesi të nisë nga e para. Të gjithë pyesin nëse reforma në drejtësi do të nisë të zbatohet apo do të ketë fatin e shumë ligjeve e nismave të tjera, që asnjëherë nuk zbatohen por mbeten vetëm në letër. 

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, paralajmëron se reforma në drejtësi do të zbatohet me patjetër pavarësisht zvarritjeve dhe “shkopinjve nën rrota”, pasi është projekt amerikan, i cili ka mbështetjen e gjerë të popullit shqiptar. 

Brokaj shprehet se politikanët janë të kapur “mat”, nuk kanë rrugë tjetër veçse ta zbatojnë projektin amerikan.

Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se kjo reformë është bërë me qëndrimin rigoroz të ndërkombëtarëve dhe në këto kushte, do të jetë sërish këmbëngulja e tyre që kjo reformë të zbatohet. Sabit Brokaj paralajmëron se shumë shpejt do të shkojnë para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”, të cilët janë të korruptuar. “Ata që nuk e duan reformën në drejtësi, patën fuqinë për ta zvarritur, por nuk e ndalin dot. 

Është projekt amerikan. Sepse përputhet edhe me dëshirën e popullit. Reforma në drejtësi është bërë për të kapur peshqit e mëdhenj. Pa qëndresën rigoroze të ndërkombëtarëve, politika në Shqipëri mund të deformojë çdo lloj ligji dhe rezolute. Të gjithë kusarët dhe të korruptuarit përpiqen për të ndalur reformën; kusarët atë që vjedhin duan ta fshehin, atë që e zbulojnë duan ta eleminojnë”, u shpreh Brokaj.

Pengesa në reformën në drejtësi

Sabit Brokaj thotë se është e pritshme që klika politike të ndalë reformën në drejtësi ashtu siç ka kapur prej gryke Shqipërinë. “Është e pritshme që të shfrytëzohet çdo lloj forme, mundësie dhe sebepi në mënyrë që reforma të mos bëhet. 

Në sjelljen e tanishme, është një strategji e caktuar që është e përhershme por shumë këmbëngulëse për të penguar realizimin e ndërtimit të shtetit ligjor shqiptar, një strategji e përdorur nga klika politike që ka kapur Shqipërinë për gryke”, tha Sabit Brokaj. 

Ish-ministri i Mbrojtjes fajëson ish-kryeministrin Sali Berisha dhe gjithë njerëzit e tij, për pengimin e reformës. Sipas tij, ata kërkojnë të ruajnë kokën e tyre nga bëmat që kanë kryer gjatë 8 viteve në pushtet. 

“Berisha dhe njerëzit e tij do të bënin përpjekje për të mbrojtur kokën e tyre pas abuzimeve të forta që kanë bërë vite e vite me radhë dhe ku reforma në drejtësi do t’i bëjë të paguajnë një më një për atë çka kanë bërë”, u shpreh Brokaj.

Ai i bën thirrje mazhorancës të mos lëshojë pe për vetingun. “Por ata që duan ta bëjnë reformën, kam parasysh mazhorancën që deri tani ka provuar se e do reformën, të jenë të vendosur dhe me guxim politik, dhe të mos lëshojnë pe në denatyrimin që kërkojnë t’i bëjnë reformës në drejtësi nëpërmjet shpëlarjes dhe çngjyrosjes së “vetingut”, tha Brokaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat