3800 vende pune në shtet dhe privat, si të aplikoni

Shqipëria

3800 vende pune në shtet dhe privat, si të aplikoni

Më: 21 mars 2017 Në ora: 11:11
Ilustrim

Zyrat e punës në të gjithë vendin, që nga koha kur u hapën e deri tani kanë iniciuar rreth 26 mijë vende pune, ndërkohë që aktu alisht në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë 3800 vende vakante në të gjithë vendin. Për to mund të kandidojë çdokush që plotëson kriteret e kërkuara nga punëdhënësi përkatës. Aplikimi për to mund të bëhet online, pasi faqja zyrtare e Shërbimit Kombëtar të Punësimit u jep mundësi të interesuarve të aplikojnë direkt për vendin ku dëshirojnë të punësohen. Për të kryer këtë procedurë duhet të jeni të regjistruar në sistem, pasi në rastin kur ende nuk keni krijuar llogarinë personale, keni të drejtë të vizitoni të gjitha ofertat e punës, por nuk u jepet mundësia e aplikimit për një vend pune. Këtë të drejtë e merrni pasi keni krijuar profilin e punëkërkuesit, i cili përmban të dhëna bazë si: emri, mbiemri, ditëlindja, numri i kartës së identitetit, gjinia apo adresa e-mail. Pas regjistrimit të këtyre të dhënave, sistemi dërgon automatikisht fjalëkalimin në adresën e postës elektronike, i cili të mundëson aksesueshmërinë në faqe si dhe aplikimin për vendet e lira të punës. Sa u takon vendeve të publikuara, ka një larmishmëri profesionesh dhe zanatesh, duke filluar nga rrobaqepësit, operatorët e kompjuterit, shitësit, kamerierët, saldatorët, shoferët, sanitaret, elektricistët deri tek infermierët, inxhinierët, ekonomistët, punonjësit socialë, mësuesit, juristët, etj.

Pakti i punësimit 

“Në më pak se tre vite, zyrat e punës, për mënyrën si është zhvilluar rrjeti, kanë ndërmjetësuar dhe kanë mundësuar, të faktuara, 26000 punësime. Ka sot në Shqipëri, 26 mijë të punësuar nga zyrat e punës, që marrin rrogën me punë dhe paguajnë taksat në shtet. Ky është fakt! Siç është fakt që sot ka 31 mijë, - shifra e fundit, - vende të lira pune në zyrat e punës”, është shprehur dje kryeministri Edi Rama, duke folur gjatë një takimi me temë “Pakti i Mirëqenies Sociale” për punën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Sot, problematika kryesore e punësimit nuk është pamundësia për hapje vendesh të reja pune, por është pamundësia për krahun e kualifikuar të punës.

Nuk mund t’i bëjë juristi të gjitha. U bëmë një popull juristësh, falë një sistemi universitar që prodhoi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në glob. Mirëpo nuk shkohet tek bizneset në autostradë, që kanë nga i pari tek i fundit vende të lira pune, me diplomë juristi. Ata duan frezatorë, nuk duan juristë, duan elektricistë, nuk duan juristë, duan teknologë, nuk duan juristë”, ka thënë Rama. Sot, nga 3 mijë në vitin 2014, janë 27 mijë njerëz mes shkollave të arsimit profesional dhe qendrave të formimit profesional, së bashku. Është një rritje eksponenciale e numrit, ashtu sikundër e tregon qartë historia e këtyre njerëzve, që kush bën shkollën profesionale, nuk ngelet më pa punë. Statistika thonë se shanset për punësim të atyre që bëjnë shkollën profesionale janë më të mëdha se shanset e shumëkujt që mbaron universitetin, për shkak se tregu ka nevojë të madhe për krah të kualifikuar pune”, ka mbyllur fjalën kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat