“Akuzat” e Ramës, ambasada e Rusisë: Ja e vërteta e takimit Karpushin-Basha

Shqipëria

“Akuzat” e Ramës, ambasada e Rusisë: Ja e vërteta e takimit Karpushin-Basha

Më: 16 mars 2017 Në ora: 11:01
Takimi i Lulzim Bashes me ambasadorin rus

Një deklaratë e Ramës se “çadra e PD mbështet nga qarqe të dyshimta jo dashamirëse me Shqipërinë” shkaktoi habi për faktin se ajo ishte hera e parë që “çadra” sulmohej në një kontekst të tillë.

Muajin e fundit, janë dhënë shumë argumente: duan të bllokojnë vetingun, duan të justifikojnë humbjen e pritshme, duan të krijojnë t’i shmangen drejtësisë etj, por para Edi Ramës askush nuk tha që protesta e PD ka mbështetje nga “armiqtë e jashtëm”.

Megjithatë, Lulzim Basha u pyet në emisionin “Opinion” për këtë deklaratë të Ramës dhe ndër të tjera, mes rreshtave tha:

“Këto deklarata janë përralla. Këto i thotë njeriu që deshi të bëhej diktator por që shqiptarët ja prishën ëndrrën. Unë sot kam patur një takim me ambasadorin e Rusisë në një takim publik. Është një takim në kuadrin e një kontakti normal që PD ka me gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Kontakte me qarqe të huaja që të diskutoj fatet e Shqipërisë PD nuk ka dhe nuk do të ketë”.

Të nesërmen, Partia Demokratike shpërndau një njoftim për mediat ku tregonte arsyet e takimit me ambasadorin e Rusisë në Tiranë, Karpushin.

“Lulzim Basha theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni përmes aplikimit të dygjuhësisë nga Federata Ruse do të rihapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale”, thuhej në këtë deklaratë.

Ndërkohë, GSH.al sjell qëndrimin e ambasadës së Rusisë në Tiranë, për këtë takim që erdhi në javën e katërt të protestës së PD-së.

Siç kuptohet nga varianti rus, politika e ditës ka qenë në plan të parë të bisedës. Më pas, edhe situata në Maqedoni dhe Kosovë.

DEKLARATA RUSE

“Më 13 mars 2017 Ambasadori i Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha.

Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Shqipëri. Në këtë kontekst Ambasadori rus nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Karpushin theksoi gjithashtu se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Ambasadori shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypaleshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare.

Ambasadori Karpushin dhe z. Basha e vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe ndanë një bindje të përbashkët se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat