Basha: Rama harxhoi 500 mln euro për projekte fasadë

Shqipëria

Basha: Rama harxhoi 500 mln euro për projekte fasadë

Më: 15 mars 2017 Në ora: 12:34
Lulzim Basha

Në një bashkëbisedim me urbanistët dhe arkitektët në çadrën e protestës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se e gjithë qeverisja e Edi Ramës ka qenë një fasadë.

Teksa protesta ka hyrë në ditën e 26, Basha u shpreh se, “Rama ka shpenzuar 500 milionë euro për projekte e reforma fasadë.

“Fasada është emri i kësaj qeverie. Me ekonomi të shkatërruar, me bujqësi të rrënuar të çuar në kufijtë e ekzistencës. Demokraci fasadë, parlament fasadë, qeverisje fasadë dhe tani duan zgjedhje fasadë. Zgjedhje të kapura, duan opozitë fasadë që t’i bëjë fresk Edi Ramës me 40 hajdutët e tij,” tha Basha gjatë fjalës së tij.

Gjithashtu në fjalën e tij, kryetari i opozitës akuzoi Ramën se u ka paguar shumë para personaliteteve të njohura për t’i bërë propagandë qeverisjes së tij, dhe mes tyre përmend Tony Blair.

“Fasada është dhe instrumenti i vjedhjes së shqiptarëve. Mbrapa fasadës ka një tavolinë ku bashkohen oligarkë të korruptuar që kanë si qëllim të vjedhin e mashtrojnë shqiptarët. Kjo që them bazohet në shifra. Në 4 vite kthyen vendin në hambar droge. Këtu ndodhet mafia më e madhe në Europë. Polici, me rroba të reja e makina me ngjyra të reja, dhe prapa tyre kriminelë që hanë darkë me kryeministrin dhe e kanë kthyer vendin në Banditistan të kanalizuar nga jugu në veri. Rama ka paguar shumë para për t’i bërë fresk qeverisë së tij. Tony Blair lidhi kontratë për t’i bërë propagandë qeverisë së Ramës. Me paratë e juaja, ata trumbetonin reformat e mëdha të Edi Ramës. Por që nga 18 shkurti asgjë nuk është si më parë, sepse qytetarët po marrin në dorë fatet e tyre. Fasada është shkërmoqur. Harxhoi 500 mln euro për krijimin e fasadës. Ai po merr koka turku se beson se kështu do i japë fund sundimit popullor që po vjen”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat