Kushtet për të përfituar pension familjar

Shqipëria

Kushtet për të përfituar pension familjar

Më: 15 mars 2017 Në ora: 10:22
Agjencia Rajonale te Sigurimeve Shoqërore

Kërkesa për përfitimin e pensionit bashkë me dokumentet e nevojshme duhet të paraqitet pranë Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore,  të vendbanimit të aplikuesit. Masat e përfitimit për çdo kategori.

Në lidhje me problematikën që hasin shumë persona në sigurimin e dokumenteve të duhura, Instituti i  Sigurimeve Shoqërore ka detajuar procedurat, rregullat dhe institucionet ku duhet të paraqiteni për të siguruar dokumentet e detyrueshme dhe ato shtesë, që duhet t’I bashkëngjiten kërkesës për përfitimin e pensionit familjar.

Konkretisht, dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension familjar duhet të përfshijë: “Fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatë vdekjeje (të jetë shënuar shkaku i vdekjes), certifikatë familjare, certificate lindjeje personale të fëmijëve përfitues, certifikatë martese e të ndjerës (e detyrueshme vetëm për femrat), dokumente të cilat tërhiqen të gjitha pranë zyrave të gjendjes civile”. Gjithashtu, në dosje duhet të përfshini edhe librezën e punës dhe atë të kontributeve të personit që është ndarë nga jeta, dokumente të cilat merren nga qendra përkatëse e punës. Në listën e dosjes së detyrueshme duhet edhe vërtetimi për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak të të ndjerit, e cila lëshohet nga qendra e personelit të rekrutimit.

Dokumentacioni shtesë

Në mungesë të librezës së punës dhe kontributeve, dokumentacioni shtesë që duhet të paraqisni përfshin:

“Deklaratë për vitet e punës që duhet ta ketë vetë personi, vërtetim nga qendra e punës për periudhat përkatëse, vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës që lëshohet po nga Qendra e Punës, vërtetimin e pagesës së papunësisë (asistencë) të tërhequr pranë Zyrave të Punës, vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë, vërtetim për pagesën kalimtare për ish-ushtarakët, si dhe mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve, të cilën e disponon vetë personi. Në rastet kur i ndjeri, apo e ndjera ka punuar si kuadër në ish-kooperativë bujqësore, duhet t’i bashkëngjisni kërkesës për përftim edhe vendimin e emërimit në punë, si kuadër që tërhiqet pranë Arshivës së Shtetit, si dhe diplomën e shkollës së mesme e të lartë të lëshuar nga drejtoritë arsimore dhe universitetet përkatëse. Për të përfituar një pension familjar suplementar shtetëror duhet të paraqisni edhe: “Fotokopje të Kartës së Identitetit, çertifikatë familjare, vërtetim i vjetërsisë në shërbim, detyrë, si dhe vërtetim i pagës referuese të detyrës, dhe vërtetimin e gjendjes gjyqësore”. Si dokumentacion shtesë për përfitimin e pensionit familjar nga fëmijët kërkohet: “Vërtetim nga shkolla kur fëmija është 18-25 vjeç, vërtetim nga dega e tatim-taksave për pjesëtarët që janë në ngarkim që merret pranë Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave, vërtetim si kërkues pune që tërhiqet pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit”. Ndërkohë, sa I takon përfitimit të kompensimit të energjisë elektrike, dokumentacioni shtesë që duhet të dorëzoni përfshin: “Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike, deklaratë për kompensimin e energjisë”.

Kushtet e përfitimit

Për të siguruar pension familjar, gruaja e ve duhet të ketë mbushur moshën 55 vjeç, të jetë e paaftë për punë, si dhe të ketë në ngarkim fëmijë deri në moshën 8 vjeç. Ndërsa burrat e ve, kanë të drejtë të kërkojnë pension familjar nëse kanë mbushur moshën 60 vjeç, janë të paaftë për punë si dhe kanë në ngarkim të mitur.

Të drejtën për të përfituar pension familjar e ka edhe jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë. Po ashtu mund të përfitojnë edhe prindërit kur kanë arritur moshën 65 vjeç, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.

Mund të trajtohen me këtë pension edhe nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.

Masa e përfitimit

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit. Pensioni, që do t’i takonte të ndjerit, llogaritet sipas rregullave për pensionet e invaliditetit. Pensioni familjar jepet në masën 50 për qind për personin e ve dhe 25 për qind për çdo jetim ose persona të tjerë që përfitojnë. Kur nuk merret pensioni i parashikuar, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind, kur ai është ose mbetet vetëm pjesëtar në pension. Kur pjesëtarë në pension janë më shumë se një jetim, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind. Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Jetimi ka të drejtën e një pensioni familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është I punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Jetimi që humbet të dy prindërit, do të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat