Basha: Nuk ndalim protestat deri në arritjen e qëllimit

Shqipëria

Basha: Nuk ndalim protestat deri në arritjen e qëllimit

Më: 11 mars 2017 Në ora: 20:36
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se opozita mbetet e vendosur për të vazhduar protestën e nisur më 18 shkurt deri në arritjen e qëllimit kryesor qeveri teknike, si garancia e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha theksoi sot nga “Çadra e lirisë” kjo lëvizje i ka tejkaluar kufijtë e çdo partie politike, të PD-së dhe opozitës, duke u bërë një lëvizje më e madhe popullore, qytetare e kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Sot e deri në fitore s’do lodhemi së përsërituri se kjo protestë s’bëhet për pushtet të opozitës apo të Lulzim Bashës, por do përfundojë kur t’i garantojë çdo shqiptari, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe votën e lirë”, tha ai.

Duke u ndalur të lajmi i publikuar nga disa media lidhur me një largim të mundshëm të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kreu i PD-së e konsideroi thjeshtë një truk për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, opinionit ndërkombëtar dhe protestuesve që janë këtu ditë dhe natë për 22 ditë më radhë.

“Çfarëdo thashethemesh e prapaskenash do të vijnë, mesazhi ynë është një dhe i pandryshueshëm, qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e qeverisë teknike. Lajmi për shkarkimin e Tahirit është një truk, një tjetër proçkë e këtyre 4 vjetëve, një përpjekje mjerane për t’i shpëtuar përgjegjësisë që Edi Rama ka për gjendjen ku e ka sjellë vendin”, deklaroi Basha.  Për kreun e opozitës, largimi i mundshëm i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është një fitore e protesuesve. “Nëse lajmi është i vërtetë, kjo është një fitore vetëm e juaja, e bashkimit qytetar dhe prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat