Renditja e 50 subjekteve me pronare femra, që punojnë më shumë me bashkitë

Shqipëria

Renditja e 50 subjekteve me pronare femra, që punojnë më shumë me bashkitë

Më: 8 mars 2017 Në ora: 10:40
Ilustrim

Bizneset, që janë në pronësi të femrave, nuk rezultojnë të “preferuara” nga njësitë e qeverisjes vendore, teksa pjesa më e madhe e kontratave për punët publike apo shërbimet që kërkohen nga Bashkitë janë fituar nga subjekte në pronësi të meshkujve.

Rreth 5% e kontratave me njësitë vendore janë fituar nga subjektet që drejtohen nga femrat. Nga 4,820 tendera në total, subjektet me pronësi femra kanë arritur të fitojnë 256 kontrata. Subjektet me pronësi femra rezultojnë të jenë më eficiente në përdorimin e fondeve të njësive vendore. Kjo peshë është shumë më e vogël në raport me përqindjen e ndërmarrjeve të administruara ose drejtuara nga femrat në gjithë ekonominë kombëtare, që zënë 31,3 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Ky është studimi që ka realizuar Open Data Albania mbi subjekte ekonomike, shoqëri biznesi që zotërohen nga një grua dhe kanë kontrata me njësi të qeverisjes vendore me vlera monetare të konsiderueshme. Ky hulumtim është realizuar si pjesë e aktiviteteve të projektit “Monitorimi i Klientëve të Bashkive në Kontrata Publike” projekt që mbështetet nga Leviz Albania.

Hulumtimi është realizuar për prokurime të shpallura dhe finalizuara nga korriku i vitit 2015 deri në datën 20 janar 2017. Korriku 2015 është data e fillimit të funksionimit të Bashkive sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative. Subjekte Biznesi apo ekonomike janë konsideruar të gjithë subjektet e regjistruar si persona fizik apo si shoqëri biznesi. Si subjekte të zotëruara nga femra janë konsideruar të gjitha ato shoqëri dhe subjekte ku një grua ka aksione apo kuota. Kontrata me Bashki apo Njësi të qeverisjes vendore, janë konsideruar të gjitha kontratat e realizuara me prokurim publik nga Bashkitë, institucionet e tyre të vartësisë dhe shoqëritë apo ndërmarrjet ku pushteti vendorë ka aksione dhe kuota.

Qëllimi kryesor i këtij hulumtimi ishte evidentimi i subjekteve të administruara apo zotëruara nga një femër dhe pesha apo fuqia e tyre në procesin e ndarjes së parave publike përmes kontratave me Bashkitë. Përmes prokurimeve publike përzgjidhen subjekte ekonomike që realizojnë punë, furnizime dhe shërbime publike me para të taksapaguesve.

Në të njëjtën linjë, Totali i Vlerës në lekë, për Ofertat Fituese nga subjektet me pronësi femër ishte 731 milionë lekë, për të njëjtën periudhë, ose vetëm 3.2% e vlerës së kontratave të akorduara nga njësitë e qeverisjes vendore.

Nga subjektet kontraktore, me të paktën një aksionere femër, bie në sy, që ato që kanë pasur vlerën më të madhe të kontratave janë kryesisht biznese me pronësi të përbashkët me bashkëshortët, apo ku bashkëshorti është administrator. duke demonstruar fuqi minimale kontraktore të subjekteve femra me njësitë e qeverisjes vendore.

Renditje sipas vlerës së kontratave me Bashki, pesë subjektet më të mëdha, që kanë të paktën një ortake/aksionare femër, korrik 2015-janar 2017

Subjekti më i madh kontraktor për punët publike, apo shërbimet e tjera të kërkuara nga njësitë bashkiake është “Vëllezërit Hysa” SHPK, me aktivitet kryesor në ndërtim. Subjekti është krijuar në vitin 2001, me seli qendrore në Elbasan dhe është në pronësi të kombinuar, ku 40% e kuotave zotërohen nga një femër, Flutura Hysa, që është dhe ortakja kryesore (dy ortakët e tjerë kanë nga 30% secili). Gjatë periudhës korrik 2015-janar 2017, ky subjekt ka fituar kontrata me një vlerë totale prej 219 milionë lekësh, në Bashkitë Cërrik e Elbasan. Projekti i saj kryesor në Cërrik ishte ‘Rikualifikimi i qendrës së Qytetit Cërrik, Loti 1 – Financim 2 vjeçar nga Buxheti i Shtetit’, me një vlerë fituese prej 116.6 milionë lekësh, apo sa 66% e gjithë fondeve që ka akorduar Bashkia Cërrik për periudhën në fjalë. Në Bashkinë Elbasan, subjekti “Vëllezërit Hysa” ka fituar kontratën ‘Sistemim-Asfaltim Rruga Broshkë dhe Ura mbi lumin Shkumbin – Financuar nga Buxheti i Shtetit’. Sipas bilancit zyrtar të depozituar, kompania kishte një qarkullim vjetor prej 787 milionë lekë në 2015-n.

Subjekti i dytë më i madh me pronësi femër është Arifaj SHPK, me objekt ndërtimin dhe zyra qendrore në Tiranë. Shoqëria është krijuar, që në vitin 1997, në vitin 2007, aksionet e kompanisë u blenë 100% nga Rezarta Bokçiu. Gjatë periudhës së marrë në analizë, kompania ka fituar disa tendera në Bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë, Pukë për rikonstruksione shkollash, rikonstruksion rruge e ure dhe ndërtim palestre në Pukë, me një vlerë totale prej 124 milionë lekësh. Gjatë vitit 2015, kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 744 milionë lekësh. Kjo kompani ka pasur kontrata me vlerë edhe më të madhe me bashkitë përpara korrik 2015. Transakaksione nga institucione buxhetore në llogari të kësaj shoqërie për periudhën 1 janar 2015 deri 1 janar 2017 janë në vlerën 1.51 miliard lekë.

Subjekti i tretë në renditje AEK Munella, me zyra qendrore në Lezhë, me aktivitet në fushën e ndërtimit, i krijuar që në vitin 1999. Nga viti 2000, ortake me 100% të kuotave është Dava Kaza (administratori është Zef Kaza). Subjekti ka fituar kontrata të shuma, me vlerë totale 61 milionë lekë, kryesisht për rikonstruksione rrugësh dhe rehabilitim ujësjellësi e ndërtim pritash. Sipas të dhënave të referuara në bilancin e vitit 2015, qarkullimi total vjetor i kompanisë ishte 29 milionë lekë, çka nënkupton që fitimi i kontratave të bashkisë i ka mundësuar subjektit të rrisë ndjeshëm të ardhurat në vitin 2016, kur ka marrë një kontratë prej rreth 30 milionë lekësh për “Rehabilitimin e rrjetit ujitës të ujëmbledhësit Malaj – 2 (vazhdim)”

I katërti renditet subjekti NIKA, me zyra qendrore në Shkodër, i hapur në vitin 1999 me aktivitet kryesor tregtim, e studio projektimi. Shpresa Nika është zotëruese e 100% të kuotave dhe njëkohësisht administratore. Kompania ka fituar kontrata kryesisht në Bashkitë Kurbin, Lezhë e Shkodër. Për vitin 2015, qarkullimi total vjetor i saj ishte 34 milionë lekë.

Subjekti i pestë është Kajmaku, ku Merita Kajmaku zotëron 51% të kuotave (pjesën tjetër e ka Agim Kajmaku) dhe ka seli qendrore në Durrës. Ky subjekt për periudhën e marrë në analizë ka fituar kontrata me bashkitë në vlerë 18 milionë lekë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat