Nis punën linja e re “Qyteti Studenti -Jordan Misja”, njihet aboneja

Shqipëria

Nis punën linja e re “Qyteti Studenti -Jordan Misja”, njihet aboneja

Më: 6 mars 2017 Në ora: 14:40
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Prej pak ditësh, mijëra banorë të zonës së Qytetit Studenti dhe rrugës “Jordan Misja” në Tiranë përfitojnë një shërbim të ri transporti publik. Kjo linjë është riorganizuar nga Bashkia e Tiranës, duke plotëson një kërkesë të hershme të qytetarëve, ku falë ndërhyrjes linja ekzistuese “Qyteti Studenti – Qendër” ka pësuar zgjatim deri në rrugën “Jordan Misja”, në afërsi të shinave të trenit.

Shërbimi në linjën e re u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky është një premtim i mbajtur dhe zgjatja e linjës së re u shërben mjaft prej zonave, të cilat janë mbipopulluar vitet e fundit.

“Jam shumë entuziast për këtë linjë të re që i shtohet Tiranës. Është një premtim i mbajtur dhe lidh dy segmente të largëta. Njëra është pjesa e Depos së Ujit, mbi “Qytetin Studenti”, ku popullsia dhe banesat janë shtuar shumë pas viteve ’90, e pasi përshkon mes përmes qendrën e Tiranës, përfundon te shinat e trenit, në rrugën “Jordan Misja”. Autobusët janë komodë dhe më të vegjël, duke qenë se shumica e rrugëve janë të ngushta e të populluara pas viteve ’90. Kjo krijon lehtësi kalimi, qoftë në zonën e shkollës “Mihal Grameno” në “Qytetin Studenti”, qoftë këtu në zonën e rrugës “Jordan Misja”, ku një pjesë ende janë për legalizim dhe urbanizim”, tha Veliaj.

Udhëtarët e kësaj linje, tashmë do të përfitojnë nga përdorimi i abonesë, ndërkohë që numri i autobusëve në shërbim është rritur.

“Morëm uratën e të gjithë atyre që, deri para pak javësh, këtë rrugë e bënin në këmbë, ndërsa sot u njihet abonoja. Sot ka një sistem GPS dhe sot shpeshtësia çdo 5-6 minuta e autobusëve ka bërë që dy ekstreme të Tiranës, nga Depo e Ujit deri te rruga “Jordan Misja” të lidhen në mënyrë perfekte, duke u kryqëzuar pastaj me autobusët e tjerë rreth qendrës, të cilët gjithashtu njohin abonetë. Për shumë prej qytetarëve është shkurtuar distanca, është shkurtuar koha dhe sigurisht, janë shkurtuar shpenzimet që më përpara ishin të panumërta, me kakofoninë e linjave që kishte Tirana dhe me mosarritjen e linjave deri në këto ekstreme”, theksoi ai.

Organizimi i ri u shërben zonave të ndryshme të Tiranës dhe me itinerarin e saj do të mundësojë një shpërndarje në pika të ndryshme të qytetit, si dhe ndërlidhjes me linjat e tjera që janë ekzistuese ose që gradualisht janë duke u futur në shërbim. Gjithashtu, linja do të jetë pjesë e sistemeve GPS që po instalohen dhe do mundësojnë sistemin e monitorimit dhe kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat