Basha me fermerët: Rama po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt Evropës

Shqipëria

Basha me fermerët: Rama po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt Evropës

Më: 5 mars 2017 Në ora: 14:25
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Në një bashkëbisedim me fermerët, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thënë se, “kryeministri Edi Rama është personi që ka bllokuar rrugën e Shqipërisë drejt Evropës.

Sipas tij, Rama po e bllokon hyrjen e Shqipërisë në BE me drogën, krimin dhe moszbatimin e dekriminalizimit.

“Edi Rama solli dhe mban kriminelët në pushtet, mbushi Shqipërinë me drogë dhe nxori bandat nga burgu për të prishur zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zhbllokimi i rrugës evropiane të Shqipërisë vjen nga lufta kundër drogës e parave të drogës, nga zbatimi i dekriminalizimit, nga zbatimi i reformës së vërtetë në drejtësi, nga largimi i Edi Ramës. Nëse ai vendos zhbllokimin e rrugës evropiane të Shqipërisë, unë e mirëpres në këtë çadër për të firmosur qeverinë teknike”, tha Basha.

Teksa fliste për problemet e fermerëve, kreu i opozitës deklaroi: “Kryeministri i fasadave ka 4 vite që nuk i ka parë hallet e fermerëve. Kosto e prodhimit është rritur dhe çmimi i prodhimit ka rënë. Fermerët po harxhojnë më shumë sesa po nxjerrin nga puna e tyre. Pse ndodh kjo? Sepse fermerët tanë nuk subvencionohen. Vitin e kaluar, Edi Rama vuri mënjanë vetëm 7 milionë dollarë subvencione për fermerët. Për bileta avioni ka shpenzuar 15 milionë dollarë. Kjo është e vërteta e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës”.

Në fund Basha premtoi se, “qeveria jonë do të japë 100 milionë dollarë subvencione në çdo vit. Paratë do t’i gjejmë nga xhepat e hajdutëve të lidhur me qeverinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat