Besnik Mustafaj: Ja cili është gabimi i Lulzim Bashës

Shqipëria

Besnik Mustafaj: Ja cili është gabimi i Lulzim Bashës

Më: 5 mars 2017 Në ora: 12:16
Basha dhe Mustafaj

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, mendon se Lulzim Basha është i vonuar nga ndarja politike që duhet të kishte bërë me ish kryeministrin Sali Berisha. Në një intervistë për emisionin “Kjo javë me Nisida Tufën” në “News 24”, themeluesi i PD-së u shpreh se protesta e demokratëve ka arritur ta krijojë profilin e saj politik, por beson se një moment kritik do të jetë ai i vendimmarrjes për t’u regjistruar në KQZ për zgjedhjet.

Si e shikoni protestën e opozitës dhe a mendoni se opozita do të marrë pjesë të hënën në seancë plenare?

Protesta, pas dy javësh zhvillimi, mund të thuhet se ka një profil të qartë të asaj që është dhe të asaj që do të jetë në vazhdim. Të gjitha paralajmërimet se do të “fiket” ngadalë dihen tashmë. Kjo si protestë është një shprehje maksimale e pakënaqësisë dhe e mospajtimit midis dy palëve në politikë. Është arritja në një pikë e mosbesimit dhe mospërputhjes mes dy palëve për të gjetur një rrugë të përbashkët, aty ku nuk mban më. Në këtë kuptim unë do të thosha se kjo protestë ka treguar për opozitën disa efekte pozitive.

E para ka mobilizuar bazën e saj sepse ka pasur një lloj plogështie në bazë.

E dyta ka ngritur realisht një konferencë permanente shtypi në mes të bulevardit dhe një mundësi për opozitën për të komunikuar mesazhet e saj ndaj të gjithë opinionit publik. Kjo, falë vëmendjes së mediave. Të dyja këto janë arritje të rëndësishme po të kemi parasysh periudhën kur ndodhin. Ne jemi afro tre muaj larg zgjedhjeve parlamentare. A do të shkojë deri në fund? Kjo është një pyetje shumë e rëndë- sishme. Unë besoj se nga shenjat që ka, kjo do të jetë një opozitë që do të zgjasë. Momenti i saj delikat do të jetë kur të gjendet përpara detyrimit ligjor për të bërë regjistrimin për zgjedhjet në Komisionin Qendror Zgjedhor. Atëherë do të shihet nëse kjo opozitë është e gatshme të lëshojë dhe të futet në zgjedhje pa qeverinë teknike, për të cilën është tashmë kaq këmbëngulëse, apo do të rezistojë deri në fund dhe do të kemi skenarin maqedonas. Në këtë skenar, siç e kemi parë, Zaevi rezistoi më shumë se 1 vit.

Ditën e hënë është një seancë shumë e rëndë- sishme, ku votohen komisionet e vetingut. A keni ju një parashikim për seancën e ditës së hënë në lidhje me opozitën?

Nga përvoja ime politike unë kam prirjen të besoj që protestat dhe qëndrime të tilla nuk janë si diplomacia, që jep një përgjigje dhe bën një veprim tjetër. Në këtë kuptim na ngelet të nisemi vetëm nga deklaratat. Deklarata që bëri Basha në dalje nga takimi me të ngarkuarën për politikën e jashtme dhe sigurisë në BE, Mogherini, ishte që parlamenti ynë do të jetë te çadra e lirisë. Në këtë kuptim, nuk kemi shenja që na bëjnë optimistë se opozita do të jetë në seancën e së hënës, kur edhe do të konstituohen disa komisione shumë të rëndë- sishme për vetingun.

Mendoni se funksionon koalicioni Rama-Meta? Dy ditë më parë dolën edhe me një deklaratë të përbashkët?

Unë nuk kam më shumë informacion se opinioni publik për këtë takim. Unë e gjykoj se ka qenë një takim i rëndësishëm për të mbajtur gjallë koalicionin qeverisës. Një takim që heq një pjesë të pikëpyetjeve, të cilat kanë shtruar sjelljet disidente do të thosha, të disa ministrave të LSI-së, madje edhe të disa deklaratave evazive nga ana e Metës. Ky ka qenë një takim që në radhë të parë ka shërbyer për të siguruar koherencë në koalicionin qeverisës. Ka qenë një takim për t’i dhënë më shumë siguri Ramës sesa Metës, sepse kryeministri është personi në pozitë më delikate në këtë situatë. Kemi parasysh që tërheqja e mandatit të Armando Prengës do t’ia kalojë mandatin një deputeti të LSI-së, çfarë do të thotë se e shton imazhin e keq të zgjedhjes së kandidatëve, që më pas janë bërë deputetë nga ana e PS-së.

Kjo vjen se, nga të gjitha kandidaturat e paraqitura nga PS-ja në Lezhë, pjesa më e madhe rezultojnë të inkriminuar dhe të prekur nga ligji i dekriminalizimit. Por nga ana tjetër, ky mandat i zbret numrat e PSPDIU, nëse do ta llogarisnim jashtë LSI-në në 69 mandate. Kështu, pozita e Edi Ramës bie nën atë limitin që ia ka paralajmëruar Ilir Meta, kur i tha se nëse ke 71 deputetë unë tërhiqem në çdo moment nga qeveria. E bën fakt pozitën imponuese të LSI-së brenda këtij koalicioni.

Slogani i përdorur së fundmi nga Basha “MAGA”, apo edhe termi i republikës së re, ju duken të duhura për situatën që ndodhemi? Po pse jo?

Çështja është sa realistë janë dhe sa do t’i përgjigjen. “MAGA” është një gjuhë e importuar nga SHBA-të dhe Presidenti Trump. Unë personalisht besoj se nuk është e përshtatshme në një aspekt. Në gjuhën e Presidentit Trump si gjatë fushatës, por edhe pas përzgjedhjes së tij, slogani më i rëndësishëm është “America first”, “Amerika e para”. Është një slogan izolacionist. Pra, pavarësisht nga përmbajtja e bukur që mund të ketë, nuk do të doja që asnjë slogan nga opozita që të linte të kuptonte reminishenca dhe që e veçojnë Shqipërinë nga proceset e mëdha integruese. Në këtë kuptim unë do të thosha që është një slogan i nxjerrë nga koncepti i vet dhe që nuk ka vend në kontekstin tonë.

Ju keni deklaruar se z.Basha duhet të distancohet nga politikanët dhe idetë e ish-kryeministrit Berisha. Përse e mendoni kështu? Ndikon Berisha në vendimmarrje?

Nuk e di sa ndikon. Unë e kam thënë dhe i qëndroj asaj ideje që Basha duhej shumë shpejt, sapo mori funksionet e kryetarit, që ta afirmonte veten si një njeri i cili nuk është në hijen e Berishës. Kjo ishte një nevojë për Bashën që ta afirmonte lidershipin e tij, është një nevojë për PD-në që të riformatohej në përputhje me filozofinë e liderit të ri dhe historinë e re që po hynte pas humbjes së thellë në 2013. Tashmë është shumë vonë t’i shtrohet kjo kërkesë Bashës sepse jemi vetëm 3 muaj përpara zgjedhjeve dhe tani nevoja e madhe e Bashës është të afirmojë sa më qartë, sa më i vendosur një vijë, një vizion, një program politik që e çon PD-në drejt fitores. Duke ngjallur shpresën e humbur që ka shoqëria shqiptare te politika në përgjithësi, te maxhoranca në mënyrë të veçantë, që nuk përkthehet doemos si një besim tek opozita.

Çfarë ndodh nëse opozita nuk kthehet në parlament?

Nuk do të kemi opozitë në parlament deri në zgjedhje? Kjo nuk është hera e parë që parlamenti kalon periudha disamujore pa opozitën. Tani periudha është më delikate që bëhet reforma elektorale. A do të pranojë dhe a do të pëlqejë opozita të shkojë me ligjin ekzistues, besoj se ky do të jetë një vendim që do të merret në nivelet e larta të PDsë. Por është një pyetje që duhet t’ia shtroj vetes. Unë i kam parë me kujdes propozimet e PD-së për reformën zgjedhore. Me përjashtim të votimit dhe numërimit elektronik, propozimet e tjera janë arnime të vogla, mungesa e të cilave nuk e bën të papërdorshëm ligjin ekzistues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat