Mogherini u thotë studentëve: Jeni rrugës drejt BE-së

Shqipëria

Mogherini u thotë studentëve: Jeni rrugës drejt BE-së

Më: 3 mars 2017 Në ora: 21:26
Federica Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini gjatë vizitës së sotme në Tiranë, në një takim me studentët e Universitetit të Tiranës, u tha atyre se Shqipëria është Evropë.

“Është absolutisht e qartë se Shqipëria është Evropë dhe duhet të largohemi nga retorika se ju keni rrugë evropiane. Ju jeni rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar Mogherini dhe ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk ka për të qenë i plotë derisa Shqipëria të jetë pjesë e tij, por i takon Shqipërisë që ta çojë përpara procesin integrues. 

“Zgjerimi është një zgjedhje e përbashkët që ne po e bëjmë së bashku dhe ka të bëjë me vendime të përbashkëta që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Tani e ka Shqipëria në dorë të marrë hapin përpara”, ka thënë Mogherini, sipas të cilës implementimi i reformës në drejtësi, është diçka që i duhet Shqipërisë dhe jo Brukselit. 

“Janë qytetarët që duan një reformë në drejtësi që shteti të funksionojë më mirë dhe jo Brukseli. Ndaj është përgjegjësi e institucioneve që ta përmbushin këtë reformë. Një sistem i pavarur i drejtësisë lufton krimin e organizuar, korrupsionin, do të tërheqë të rinjtë e interesuar për biznes dhe investitorët. Ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e duhura, ne nga ana jonë jemi gati të hapim negociatat”, ka thënë Mogherini.

Ajo theksoi se reforma në drejtësi dhe vettingu janë kushte të Shqipërisë për ecje drejtë BE-së.

“Hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit varen nga reforma në drejtësi dhe në veçanti nga vettingu dhe për këtë politikanët kanë përgjegjësinë për të punuar brenda institucioneve. Loja e futbollit bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj. Ndaj betejat duhet të bëhen brenda institucioneve, Parlamentit në këtë rast”, ka shtuar Mogherini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat