Basha i kthen përgjigje Ramës: Opozita nuk tërhiqet, nuk do ketë pazare

Shqipëria

Basha i kthen përgjigje Ramës: Opozita nuk tërhiqet, nuk do ketë pazare

Më: 3 mars 2017 Në ora: 19:17
Rama dhe Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së Qeverisë për dialog me opozitën për t’i dhënë zgjidhje protestës që vazhdon prej dy javësh.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët pasditen e sotme, Basha deklaroi nga “çadra e lirisë” se është dakord për dialog me Qeverinë, por që të diskutohet vetëm për krijimin e qeverisë teknike. Në këto rrethana, kreu i opozitës shfaqi vendosmëri dhe nuk tërhiqet nga kërkesa e panegociueshme.

“Po dialogut me një temë: Qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi kryedemokrati.

Po kështu, Basha sulmoi edhe mediat pranë Qeverisë Rama të cilat sot kishin shkruar se “pas ftesës për dialog, tërhiqet Basha”.

Duke qetësuar turmën pas brohoritjeve, Lulzim Basha theksoi: “Qetësi, ta dëgjojnë edhe këto mediat e qeverisë se ishin ngatërruar pak paradite. Nuk ka tërheqje, nuk ka dorëzim, nuk ka pazar”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat