Vdekja e çiftit në Pogradec/ Rrëfehet vëllai: Helmin e bleva unë…

Shqipëria

Vdekja e çiftit në Pogradec/ Rrëfehet vëllai: Helmin e bleva unë…

Më: 2 mars 2017 Në ora: 18:22
Fatbardha dhe Erzen Torra

Policia e Korçës e ka përqendruar në dy pista hetimin për ngjarjen e ndodhur në fshatin Velçan, ku u gjetën pa jetë bashkëshortët Fatbardha dhe Erzen Torra.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se është përjashtuar dyshimi i vrasjes nga persona të tjerë dhe se janë dy pista për shkakun e ngjarjes që çoi 23-vjeçaren deri në kryerjen e krimit të rëndë.

Deklarimet e familjarëve kanë hedhur dritë mbi një ngjarje të ndodhur dy ditë para krimit, ku çifti i bashkëshortëve Fatbardha dhe Erzen Torra janë grindur ashpër me njëri-tjetrin, pasi Erzeni ka shkuar në shtëpi vonë dhe në gjendje të dehur. Të njëjtat burime thanë se është duke u hetuar edhe në një pistë tjetër, e cila nuk bëhet e ditur për shkak të specifikës së kësaj çështjeje.

“Lidhur nga rrethanat e vërtetuara në skenën e krimit, rezulton se autore është Fatbardha Torra. Ajo i ka dhënë një goditje pas veshit Erzenit dhe më tej në kushtet e tronditjes psikologjike është vetëhelmuar”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit.

Sipas të dhënave, 23- vjeçarja ka konsumuar bar miu, të cilin e ka gjetur në haurin e bagëtive. Helmi, sipas të dhënave, ishte vendosur atje nga vetë vëllai i Erzenit. I riu vetë ka pohuar përballë grupit hetimor se ai e ka blerë helmin, pasi vazhdimisht e përdornin për minjtë në katet e poshtme të banesës.

Ekspertët kanë arritur të gjejnë edhe shenja gjaku në rrobat e 23-vjeçares, që kanë përfunduar aty në momentin që ajo e ka goditur. Një tjetër element që sipas hetuesve korrespondon me versionin e ngritur është edhe shkopi me të cilin është goditur 26-vjeçari, i cili është vërtetuar të jetë mjeti i krimit.

“Nga ekspertët është vërtetuar se kemi të bëjmë me vrasje e më pas vetëvrasje dhe se e vetmja pistë hetimi mbetet ajo e shkakut të ngjarjes”, bënë të ditur burime të Policisë. Ndërkaq të afërmit e Erzen Torrës të tronditur nga ngjarja vazhdojnë të hedhin dyshime se vrasja mund të jetë bërë nga një person i tretë.

“Kemi shkuar në polici, pasi nuk gjejmë portofolin e Erzenit dhe u kemi shprehur dyshimin se ndoshta këtë mund ta ketë bërë dikush tjetër. Mbase i kanë vrarë diku larg, i kanë marrë lekët dhe i kanë sjellë atje që të mbulonin gjurmët. I kërkuam Policisë të hetojë, nuk e pranojmë dot mendimin se këtë gjë mund ta ketë bërë Fatbardha. Megjithatë është policia ajo që do nxjerrë të vërtetën dhe ne po presim që të mësojmë çfarë ka ndodhur”, është shprehur Hysni Balli, kushëriri i Erzen Torrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat