Ky është personazhi që futi në sherr Bashën me Fevziun: Ja pse ika nga PS

Shqipëria

Ky është personazhi që futi në sherr Bashën me Fevziun: Ja pse ika nga PS

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 12:57
Leonardo Nika

Ai quhet Leonardo Nika dhe pretendon se ka qenë anëtar i Partisë Socialiste prej 17 vitesh, por tashmë është shkëputur prej saj duke iu bashkuar protestës së opozitës në bulevard.

Gjatë intervistës së mbrëmshme në “Opinion”, kreu i demokratëve Lulzim Basha tentoi ta fuste live për të dhënë mesazhin e tij duke hasur në kundërshtimin e moderatorit Blendi Fevziu sepse kështu po i prishte formatin e emisionit.

Albeu kontaktoi me Leonardon. Në një intervistë Leonardo shpjegon se ajo që ai donte të shpjegonte mbrëmë ka të bëjë me faktin se ai kishte qenë anëtar i Partisë Socialiste prej 17 vitesh, por është shkëputur pasi Rilindja që ka ngritur Rama sipas tij nuk ka të bëjë fare me Partinë Socialiste.

Leonardo, mund të na e thoni neve atë që donit të shprehnit mbrëmë në krah të z.Basha?

Isha anëtar i Partisë Socialiste prej 17 vitesh. Jam nga Burreli dhe jetoj prej 21 vitesh në Tiranë, në zonën “ish-Kombinatit”.

Përse u larguat nga Partia Socialiste duke iu bashkuar protestës së demokratëve?

U largova nga PS sepse Rilindja nuk ka lidhje me Partinë Socialiste. Ata janë një grup kriminal. Rama i ka mbledhur të gjithë banditët e vendit dhe e quan “Rilindje”. Po aplikojnë një diktaturë dhe ushtrojnë persekutime mafioze ndaj qytetetarëve. Kjo nuk është Partia Socialiste.

Po flisni për persekutime, po ju vetë jeni prekur nga ky persektim personalisht?

Po, disa herë. Jam persekutuar në forma mafioze nëpër rrugët e “Kombinatit” nga kriminelë. Kanë bërë terror të paparë psikologjik ndaj meje.

Besoj se duhet të ketë një arsye për këtë që thoni apo jo? Cila është arsyeja, për të cilën ju mendoni se ju persekutojnë?

Ka një arsyej krahinore. Rama ka urrejtje për zonën e veriut.

Ju mendoni se vetë z.Rama e ka nxitur këtë persekutim ndaj jush?

Po po, Rama sëbashku me deputetin e zonës, Saimir Tahirin.

Aktualisht jeni tek çadra?

Unë qendroj gjithë ditën aty. Tani do të iki sërish aty. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe socialistëve të ndershëm që të bashkohen dhe t’i rikthejmë dinjitetin vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat