“Të huajt mbështesin zgjedhjet e lira, mos besoni asnjë që thotë ndryshe”!

Shqipëria

“Të huajt mbështesin zgjedhjet e lira, mos besoni asnjë që thotë ndryshe”!

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 19:25
Basha

Kreu i Partisë Demokratike rezervoi edhe gjatë pasdites së sotme një përgjigje për shqetësimin në rritje të ndërkombëtarëve për bojkotin e opozitës.

Basha tha se nuk mund të ketë amerikan dhe as europian që respekton veten e tij dhe vendin e tij që të guxojë tu thotë shqiptarëve mos luftoni për zgjedhjet e lira.

Basha: Miqtë tanë nga Brukseli në Uashington, nga Berlini në Romë, Athinë, në Londër e kudo që janë japin mbështetjen e tyre për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mos besoni asnjë që thotë ndryshe. Nuk ka europianë apo amerikanë që respekton veten e tij dhe vendin e tij që të guxojë tu thotë shqiptarëve mos luftoni për zgjedhjet e lira. Nuk ka njeri serioz tu thotë shqiptarëve pranoni republikën e krimit. Mesazhet që vinë dhe do të vazhdojnë të vinë kanë vetëm një qëllim të garantojnë fitoren e parimit dhe normës themelore europiane dhe amerikane, demokraci të vërtetë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me kriminelët në pushtet, me Shqipërinë hambar droge për kriminelët në pushtet.

Deklaratat Basha i bëri gjatë një takimi me të rinjtë në çadrën e protestës. Shefi i demokratëve tha se lëvizja popullore po hedh themelet e një republike tjetër.

Basha: Kurrë më si më parë nuk do pranojmë demokraci fasadë, parlament fasadë pas të cilit fshihen kriminelët, bandat, droga dhe korrupsioni. Kurrë më nuk do të pranoj që këtë republikë të kalbur me themele. Kjo është një lëvizje popullore. Sëbashku po hedhim themelet e një republike tjetër, që sa më takon mua, nuk do ketë asgjë të përbashkët me republikën që do përmbysim, republika ku një grusht politikanësh dhe oligarkësh kanë shtënë në dorë gjithë pasurinë e vendit.

Tërheqje deri në realizimin e fitores nuk ka, tha Basha.

“Kush ka nostalgji, pavarësisht se çfarë partie i përket, qoftë dhe demokrat, për republikën që do të shembim, ta dijë se nuk do të ndalemi derisa ta shembim. Republika e krimit dhe korrupsionit do marrë fund, ky është vendimi i shqiptarëve, ne nuk tërhiqemi deri në fitore”.

Për të studentët, ai ripremtoi se nëse PD vjen në pushtet vendimi i parë i tij si Kryeministër do jetë anulimi i ligjit të arsimit të lartë.

Basha u ndal edhe tek programi për stazhet, si një garanci për punësimin e të rinjve pas diplomimit.

Basha: Për studentët dhe arsimin e lartë, një qeveri e zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme ku unë do kisha nderin të shërbeja si Kryeministër ka një plan të qartë. Ditën time të parë, orën time të parë do firmos anulimin e ligjit të arsimit të lartë, në plehra e ka vendin. Ligji që vjedh shqiptarët, duke bërë të paguajnë dyfish. Kjo do marrë fund orën tonë të parë në pushtet. Nuk do pranojmë kurrë që vendimin për arsimin e lartë ti marrin një grup politikanësh, aq më pak Ministrja e salcës që nuk ka kualifikimet e nevojshme as për të qenë Ministre, aq më pak e Arsimit. Këto vendime do ti marrin trupat e përbashkëta të pedagogëve dhe studentëve.

Aty ku jepet mesim aty do merren dhe vendimet. Do financojmë arsimin e lartë, nuk do ketë asnjë të ri apo të re që do mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike. Për ata që mbarojnë arsimin e lartë dhe sot enden rrugëve qeveria ime ka një plan të bazuar në praktikën më të mirë europiane. Do jap modelin europian në qeverisje dhe arsim. Çfarë është e mirë për Europën është e mirë edhe për shqiptarë, asgjë që nuk është e mirë për Europën nuk është e mirë as për shqiptarët. 10 mijë stazhe në vit me pagesë 200 mijë lekë në muaj, plus sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Në përfundim dhe një mesazh për të rinjtë.

Basha: Bëhuni gatim, Shqipëria që po vjen është Shqipëria juaj, do jetë vetëm në duart tuaja. Asgjë nuk do jetë më si më parë. Fitorja e betejës është në duart tuaja dhe qytetarëve shqiptarë. Ne nuk tërhiqemi, unë nuk tërhiqem, parlamenti i krimit ka marrë fund, ky është parlamenti i vërtetë i republikës së re që po lind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat