Proceset, vazhdon të rritet numri i gjyqeve për falimente në gjykata

Shqipëria

Proceset, vazhdon të rritet numri i gjyqeve për falimente në gjykata

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 07:59
Gjykata e Tiranës

Numri i bizneseve që kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën e Tiranës për të nisur procedurat e falimentimit ka ardhur në rritje. 

Deri tani, statistikat zyrtare flasin për 30 raste, nga të cilat 7 janë të reja (të nisura në 2 muaj) dhe pjesa tjetër të mbartura nga viti i kaluar.

Të paktën në dy vitet e fundit, numri i bizneseve që kanë filluar procedurat e falimentit është në rritje. Në vitin 2014 ishin 22 kompani që kërkuan hapje procesi në gjykatë, ndërsa në 2015-n, numri shkoi në 64. Në total, numri i çështjeve civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë llogaritet në 6.835 nga të cilat 1.533 deri tani janë të reja.

Duke u gjykuar në proces falimenti janë emra të njohur kompanish që u përkasin fushave të ndryshme, të tilla si: Volalba (për të cilën ka nisur shpërndarja e detyrimeve ndaj kreditorëve, si dhe është marrë vendimi për procedimin e ankandit të tretë për shitjen me pjesë); Belle Air (në proces dhënie informacioni për inventarizimin e aseteve); por edhe shoqërive të tjera si Arbi -D, AGC-Retail, Valsir etj.

Ligji përfshin të gjitha subjektet private fizike e juridike, por nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, banka, institucionet që grumbullojnë depozita nga publiku, institucionet financiare dhe nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat