Veliaj kërkesë protestuese të PD: Zhvendosni çadrat te lulishtja e Piramidës

Shqipëria

Veliaj kërkesë protestuese të PD: Zhvendosni çadrat te lulishtja e Piramidës

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 13:34
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot shërbimin që ofrojnë autobusët e kësaj linje dhe theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur. “Jam shumë i lumtur që sot mbajtëm edhe një premtim tjetër, duke zgjatur linjën e ish Uzinës së Autotraktorëve deri në Institutin bujqësor.

Gjithashtu Veliaj, foli dhe për protestën e PD, e cila prej tre ditësh ka sjellë bllokimin e linjave të autobusëve që kalojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve, u shpreh kryetari Velaj.

Qytetarët, të cilët më parë detyroheshin të blinin dy bileta, pra Shkozë  – Qendër dhe Qendër – Institut Bujqësor, sot me një biletë ose me një abone të unifikuar, mund ta kryejnë të plotë udhëtimin, i cili i bie kryq e tërthor Tiranës dhe sjell një lehtësi të jashtëzakonshme, sidomos për ata që shkojnë në punë në mëngjes, për nxënësit e shkollave dhe për të gjithë ata që duhet të kryejnë veprimtarinë e tyre të ditës nga njëri cep i Tiranës, në tjetrin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi një lajm të shkëlqyer shtimin e flotës së autobusëve të vënë në shërbim të qytetarëve. “Kemi shkuar nga 16 në 30 autobusë modernë dhe ajo që dëshmuam sot është se kemi një cilësi jashtëzakonisht më të mirë në autobusët e rinj dhe qytetarët janë të kënaqur”, tha ai. Veliaj theksoi se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e linjave të autobusëve dhe shprehu bindjen se rezultatet e kënaqshme nuk do të vonojnë. “Është një fillim i mbarë dhe besoj një lajm i mirë për zonën e Shkozës dhe për gjithë ish Uzinën e Autotraktorëve, e cila është rritur jashtëzakonisht, sidomos në vitet e fundit, prej banorëve të rinj që kanë ardhur”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që, për shkak të bllokimit të Bulevardit nga protesta, autobusët detyrohen të devijojnë itinerarin e tyre të zakonshëm. “Më vjen keq që sot kemi pasur disa probleme me trafikun, sidomos me dy linja kryesore, atë të Tiranës së Re dhe Kopshtit Zoologjik. Prej devijimit që kemi nga bllokimi i Blv. “Dëshmorët e Kombit”, linjat detyrohen të futen në rrugica më të ngushta. Kjo do të thotë se projekti ynë për të futur autobusë fizarmonikë, shfaq disa problematika, pasi autobusët fizarmonikë nuk mund të futen në rrugicat e ngushta të Bllokut, për të devijuar bllokimin që kemi në bulevard. Megjithatë, po bëjmë maksimumin që, ndërsa protesta vazhdon dhe mban të bllokuar bulevardin, t’u kërkojmë qytetarëve durim dhe mirëkuptim teksa bëjmë një devijim të autobusëve. Më të vegjlit përmes bllokut, kurse ata që janë autobusë fizarmonikë devijojnë në unazë”, tha ai.

Duke theksuar se Bashkia e Tiranës do të respektojë të drejtën e çdokujt për të protestuar, kryebashkiaku Veliaj u bëri edhe një kërkesë miqësore për të gjetur një zgjidhje në lehtësimin e trafikut në qytet. “Jam shpresëplotë që ndoshta do kemi një mirëkuptim edhe nga bllokuesit e Bulevardit që çadra ose të zhvendoset te lulishtja e Piramidës, ose në një hapësirë tjetër, ku të mos bllokohet lëvizja e autobusëve. Kështu, mijëra qytetarë që sot nuk arritën në punë në orar, të mos kthehet në një problem kronik gjatë gjithë kësaj periudhe. Do të respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, megjithatë nëse mund të gjejmë një bashkëpunim që kjo të mos bllokojë jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës, që duan të jetojnë me punë, të ndjekin shkollën dhe që duan të vazhdojnë jetën normalisht, besoj se do të arrijmë një konsensus”, theksoi Veliaj.

Linja nga ish Uzina e Autotraktorëve deri në Institutin Bujqësor dhe anasjelltas, ka 32 stacione autobusësh, ndërkohë që është përmirësuar frekuenca e autobusëve duke i shërbyer më shpejt dhe më me cilësi qytetarëve të Tiranës./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat